Një person me inicialet L.H është arratisur sot nga Pallati i Drejtësisë, pas përfundimit të seancës gjyqësore.
Nga Gjykata Themelore e Prishtinës kanë deklaruar për Reporteri.net se i njëjti është arratisur pasi ka pranuar aktvendimin për caktim të paraburgimit.
“Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me çështjen penale ndaj të pandehurit L.H. ka marr informacion se i njëjti pasi që ka pranuar aktvendimin për caktim të paraburgimit, ka arritur që ti ik Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë kompetent për ta siguruar rastin. Arratisja e të dyshuarit në rastin konkret, nuk mbetet në përgjegjësinë e Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi gjykata ka ndërmarr të gjitha veprimet e duhura procedurale ashtu siç parashihet me dispozitat ligjore të KPPRK-së., andaj për më shumë informata lidhur me këtë çështje, ju mund ti drejtoheni Policisë së Kosovës”, ka deklaruar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.
Ndaj të njëjtit., Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe veprën penale Lëndim i rëndë trupor.”
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit L.H. dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse nëse i pandehuri L.H. lihet në liri, i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për të zhvilluar procedurën penale”, ka thënë Gashi.
Gazeta Online Reporteri.net raportoi më herët se i arratisuri është i moshës 22-vjeçare. I njëjti ka ikur në drejtim të objekteve të banimit “ARIANI COMPANY”, në drejtim të “PRINCESHËS”, dhe ka qenë i veshur me të bardha.