Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, e ka mandatuar Millosh Vuçeviqin, ish-ministër i Mbrojtjes dhe udhëheqës i subjektit në pushtet, Partisë Progresive Serbe (SNS), për formimin e Qeverisë. Ai e zgjodhi aeroportin ushtarak të Batajnicës për të bërë prezantimin e mandatarit të ri të Qeverisë serb, prej ku edhe përçoi mesazhe luftënxitëse.
Ai bëri të ditur se në një të ardhme të afërt, Serbia do të blejë avionë të kombinuar luftarakë-bombardues, MIG 29 nga Rusia. Presidenti serb tha se “Më 20 prill, në Peshter, ne do të shohim veprimin e vërtetë të dronëve tanë për herë të pare”.
Vuçiq ka thënë se nuk kërcënon askënd, pasi sipas tij, ata që flasin për kërcënime zakonisht mendojnë se duhet të kërcënojnë dikë.
”Serbia nuk kërcënon askënd, nuk ka kërcënuar asnjëherë. Ne i dimë të gjitha problemet tona, e dimë se sa të dobët jemi, por e dimë gjithashtu sa më të fortë se sa ishim, por ky është realizimi ynë dhe është e rëndësishme që ne mund të përpiqemi ta bëjmë veten shumë të fortë dhe që askush nga mjedisi do të mendonte për këtë të kryente agresion ndaj vendit tonë”, ka thënë Vuçiq.
Mandatimin e Vuçeviqit për kryeministër të Serbisë nga aeroporti ushtarak në Batajnicë, sipas eksperti i sigurisë Drizan Shala ka një simbolikë, sepse është bërë nga një vend ku në vitet 1998/99 janë sjellë dhe janë varros dhe rivarrosë trupat e 720 shqiptarëve të vrarë në Kosovë dhe ishin fshehur në bazën e njësisë antiterroriste serbe.
“Pikërisht nga ai vend Vuçiq përçoi mesazhin se qëndron ende prapa veprimeve të ndërmarr nga shteti i Serbisë sa i përket spastrimit etnik të ndodhur në Republikën e Kosovës dhe në anën tjetër kjo tregon se kryerësi i krimit kthehet në vendin e krimit. Pra Vuçiq këto deklarata të shfrenuara të nacionalizmit serb i bën në vendet ku ka lidhshmëri me veprimet e ndërmarra kriminale përgjatë viteve 90-ta”, tha Shala, për EuronewAlbania
Ai tha se jo rastësisht është mandatuar Vuçeviq për kryeministër, pasi ai është pjesë e klanit të Novi Sadit dhe kontrollohet nga Zvonko Veselinoviqi.
Veprimet e ndërmarra ushtarake në Kosovë nga grupi i Radoiçiqit ishte mbështetur dhe organizuar nga Millosh Vuçeviqi si ministër i Mbrojtjes, që kishte urdhëruar shefin e shtabit të Ushtrisë serbe, Mojsilloviqin që të ofrojë mbështetjen logjistike për grupin terrorist serb.
“Millosh Vuçeviq, si kryeminisitër, do të jetë një nga protagonistët për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Kur dihet se në mandatimin e tij për kryeministër ishte i pranishëm edhe Milorad Dodik, kjo e dëshmon faktin se konteksti i asaj që ka potencuar Vuçiq krijimin e ‘botës serbe’, po merr formën vizuale përmes ndryshimit të figurave kryesore”, tha ai, transmeton Telegrafi.
Ai duke komentuar deklaratën e Vuçiqit se më 20 prill do të ngrejnë dronët, tha se prezantimi i këtyre dronëve të prodhuara nga vetë ajo, për të dëshmuar militarizimin e Ballkanit.
Vuçiq tha se Serbia i di përparësitë dhe mangësitë e dronëve “Bayraktar”.
“Kur dihet se Kosova posedon dronët ‘Bayraktar’, Serbia është duke përgatitur kundërofensivë, në rast se do të kemi një ballafaqim të teknologjisë së fundit mes dronëve. Mangësitë e dronëve ‘Bayraktar’ tani i ka në dispozicion ushtrua e Rusisë përmes Azerbajxhanit, i cili është furnizuar me këta dronë nga Turqia)”, tha Shala, transmeton Telegrafi.
Deklarimet e Vuçiqit se Serbia po armatoset që të mbrohet, sipas ekspertit Drizan Shala, janë një përpjekje për kthimin e një Jugosllavie te re.
Shala duke komentuar paralajmërimin e Vuçiqit se do ta vizitojë Moskën në tetor, tha se presidenti serb vetëm zbaton politikat e presidentit rus.
“Politika e Vuçiqit është politikë e Putinit. Pra Vuçiqi është vetëm një zëdhënës i presidentit rus”, tha Shala.
“Vuçiq do të tentojë të zbatojë dhe ta kryeje obligimin shtetëror që ka marr nga presidenti Putin. Pra ai duhet të përmbushë bastin që është shpërndarë edhe nga mediat ndërkombëtare, nga presidenti Putin… Është një bast që Vuçiq duhet ta kryejë. Ky bast thotë se në terren do të ketë tentativë për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor. Pra do të kemi luftë. A do të kemi luftë në Kosovë, apo do të mbahet Kosova nën presion për të qëndruar faktori ndërkombëtar në raport Kosovë-Serbi, dhe luftë do të fillojë në Bosnje, kur dihet se Dodik tanimë ka thënë se hyrja e Bosnjes në NATO do të thotë prishje e Marrëveshjes së Dejtonit… Kjo do të reflektojë krijimin e një konflikt. .. Kosova do të përdoret si pikë e konfrontimit politik e luftarak. Nëse kjo nuk ndodhe atëherë mund të përdoret Mali i Zi.”, tha Shala, duke shtuar se çështja e Ballkanit Perëndimor është shumë komplekse.