Ish-ambasadori Avni Arifi ka kritikuar mënyrën se si Kosova e trajton seancën e Këshillit të Sigurimit në OKB.
Ai ka thënë se tash e sa kohë Kosova e përdorë këtë seancë vetëm për protagonizëm. Aty nuk do të duhej të përfaqësoheshim nga nivel i lartë shtetëror, e të dukemi sikur kemi probleme ndëretnike me serbët, ka thënë Arifi.
Postimi i plotë:
Seanca e Këshillit të Sigurimit, e cila do të mbahet sot në OKB, është një seancë që merret me analizimin e zbatimit të Rezolutës 1244 të OKB-së, dhe Kosova ende merr pjesë si IPVQ.
Rreth shpalljes së pavarësisë dhe në vitet që pasuan, ka qenë jashtëzakonisht me rëndësi që edhe Kosova të marrë pjesë dhe të raportojë për progresin e saj.
Që nga viti 2012, vendet aleate i kanë sugjeruar Kosovës që ta ulë rëndësinë e këtij eventi dhe të marrë pjesë me nivele më të ulëta, p.sh. në nivel ambasadori ose edhe më poshtë. Kjo sepse është pikërisht Kosova ajo që e ka tejkaluar situatën e Rezolutës 1244 dhe është shtet që synon rrumbullakimin e njohjeve. Ulja e nivelit të përfaqësimit të Kosovës, automatikisht do të ulte edhe nivelin e përfaqësimit të vendeve anëtare dhe, gradualisht, do t’i humbte kuptimi një mbledhjeje që në në një pjesë të madhe të substancës e sheh Kosovën si pjesë të Serbisë. Kjo seancë mbase është e vetmja ku Serbia ndihet dhe nga shumë shihet si vend ku Kosova është pjesë e saj
Fatkeqësisht, shteti i Kosovës, për qëllime tërësisht populiste, i ka injoruar këto këshilla dhe në secilën mbledhje përfaqësohet nga Presidentja, Kryeministri apo Ministrja e Jashtme. Secili prej tyre përpiqet që paraqitjet t’i ketë sa më “patriotike” dhe, për qëllime elektorale, kacafyten me përfaqësuesit serbë, të cilët – duke marrë parasysh natyrën e OKB-së – argumentet, sado të qëndrueshme të jenë, e paraqesin Kosovën në sytë e këtij forumi si një vend larg normalitetit.
Të gjithë e dinë për Banjskën, por ky forum nuk zgjidh asgjë nga ato që këta mendojnë, dhe sigurt nuk është vend ku merr pjesë për të shprazur atë që ke në bark. Përfaqësimi i vazhdueshëm në nivele të larta nga Kosova dhe grindjet e shpeshta forcojnë narrativën serbe se Kosova është vend me probleme të mëdha ndëretnike dhe të sigurisë. Është çështje tjetër nëse OKB-ja e sheh Serbinë si fajtorin e vetëm dhe kryesor.
Përfaqësuesit e Kosovës, me shumë gjasë, nuk po e kuptojnë se çfarë realisht ndodh në atë forum.