Kryetari Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Hetem Arifi, u dyshua se ka sulmuar fizikisht një djalë në Lipjan.
Rastin në IndeksOnline e ka raportuar babai i viktimës, Bajram Gashi.
Gashi tha se Arifi, bashkë me të birin, ia sulmuan djalin A.Gashi, në oborrin e xhamisë së Lipjanit.
Por, këtë pretendim të Gashit e ka mohuar kryetari i PAI-së, Hetem Arifi.
Arifi thotë se viktima A.Gashi ka kohë që e provokon dhe tenton të shkaktojë konflikte me të.
“Absolutisht se nuk është e vërtetë që e kemi sulmuar ne atë. Ai na ka sulmuar neve. Asnjëherë nuk kam pasur asnjë problem me Abdullah Gashin. Asnjëherë! Edhe pse ata kanë shkruajtur e shpifur gjithçka për mua, unë rastin e kam lajmëru në polici edhe më herët, gjatë fushatës. Por unë kontakt me të nuk kam pasur asnjëherë, as verbal as fizik”, tha Arifi.
Ai shpjegoi se incidenti që ndodhi sot para xhamisë u krijua pasi Gashi iu qas i pari duke tentuar të nisë një konflikt.
“Unë vetëm i kam thënë “Mos më këqyr ashtu, mos më shantazho, ec”. Ai ka qenë përballë, pranë xhamisë, e unë në anën tjetër të rrugës. M’u vërsul dhe mendojke se mundet me më ra, por e ndanë njerëzit. Ai nuk është aq i pjekur, është fëmijë për mu. Më vonë, u nisa me djalin drejt shtëpisë, e ai erdhi pas meje me një telefon në dorë, duke me thirrë, e duke më thënë se e ka marrë lejen nga babai për të më sulmuar e për të më sharë. Unë kam shkuar drejt e në polici”, shtoi Arifi.
Ai thotë se kjo nuk ka të bëjë fare me situatën e krijuar nga dyshimet për manipulime me procesin zgjedhor në diasporë.
“Absolutisht s’ka pasur të bëjë me atë situatë. Këtë gjë nuk e kam përmendur as unë, e as ai. Mirëpo, këta dojnë me e ndërlidhë me atë gjë. Unë mezi po pres të më thërrasë Gjykata e t’i trajtojë këto shpifje, inskenime e incizime që i kanë bërë. Ata i kanë dërgu në Gjykatë e Prokurori, po unë mezi po pres të nisë trajtimi i këtij rasti. Asnjë fjalë nuk ka pasur lidhje me rastin e votave. Me atë duhet të merret Prokuroria, Policia dhe Gjykata”, përfundoi Arifi.