Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë që nuk e mendon dorëheqjen si opsion pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në të cilin thuhet se ajo ka shkelur Kushtetutën, lidhur me reformat në arsim në komunën e Kamenicës.
Nagavci në një intervistë për Klankosova.tv, ka thënë që me këtë vendim MASHT-i e ka përmbushur obligimin ligjor, për t’u siguruar fëmijëve të mbetur jashtë shkollës të drejtën për shkollim.
“Ne kemi marrë veprimet që janë të domosdoshme për të evituar humbjet e shkaktuara tek nxënësit, si pasojë e mos vijimin të mësimit. Për sa i përket aspektit kushtetues, norma kushtetuese është e qartë. Rreth 2 vite nxënësit e kanë humbur mësimin. Ka pasur shumë raste kur Gjykata ka shfuqizuar akte të ndryshme të Qeverisë. Është analoge me gjyqtarët e gjykatave tjera, se kur gjykata kushtetuese i shfuqizon vendimet e gjykatave tjera, asnjë nga gjyqtarët nuk jep dorëheqje ose nuk kërkohet me u shkarku”, ka thënë Nagavci.
Në lidhje me paralajmërimin e SBASHK-ut, ministrja Nagavci thotë për Klankosova.tv që beson nuk është koha për greva, pasi po punohet për përmirësimin e kushteve të punës për mësimdhënësit.
“Qeveria tashmë ka ndarë nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat e publik, studentët dhe pensionistët. Është duke u punuar në finalizimin e ligjit të pagave për reth 80 mijë zyrtarë publikë dhe po punojmë me kujdes në këtë drejtim. Po punojmë për përmirësimin e kushteve të punës , kemi ndarë buxhetin për mësimdhënës që kanë probleme shëndetësore. Po i përmirësojmë padrejtësitë ose lëshimet për pagesat në ligjin e kaluar për mësimdhënësit në mënyrë që ta rrisim dinjitetin e mësimdhënësit. Kemi mbajtur në sistem mësimdhënës që konsiderohen si tepricë teknologjike”, tha tutje Nagavci.
Sa i përket ndryshimeve në tekstet shkollore, Nagavci thotë që është finalizuar draft ligji i cili së shpejti do të dërgohet në Kuvend.
‘Ligji parasheh që duhet të rishikohen tekstet shkollore. Ligji do të shërbejë si bazë për të gjitha proceset tjera që do të zhvillohen në lidhje me tekstet shkollore dhe materialet mësimore”, tha ajo.
Nagavci tutje theksoi që edhe pse pandemia ka lënë pasoja të shumta në procesin mësimor, megjithatë sistemi arsimor tashmë i është kthyer normalitetit.
“Të gjitha institucionet arsimore zhvillojnë aktivitetet mësimore sipas plan programit me prezencë fizike. Tani kërkohet angazhim maksimal në të gjitha nivelet në arritjen e rezultateve të të nxënit nga ana e nxënësve dhe studentëve”, tha ajo.