Deputeti i LDK`së, Arben Gashi, ka reaguar pas letrës që kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i ka dërguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku e fton për koalicion qeverisës.
Gashi tha se partitë duhet të shtensionojnë situatën dhe të diskutojnë hapur, madje edhe për refuzim.
Sipas Gashit, diskutimet nuk nënkuptojnë automatikisht koalicion, por janë të domosdoshme për të gjetur zgjidhje.
Ai shtoi se mund t’i thuhet Kurtit të vazhdojë me 48 deputetë ose të tërhiqet nga formimi i qeverisë, pasi ekzistojnë shumë opsione.
“Partitë politike në Kosovë duhet ta shtensonojnë situatën, duhet biseduar edhe refuzimin duhet ta bëjnë në tavolinë edhe të gjitha, ky është mendim personal i imi. Gabimet që i ka bërë Kurti janë të përsëritura por në fund ne duhet të ulemi dhe të diskutojmë qoftë edhe për të shkuar në zgjedhje. Pra duhet të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje. Qoftë edhe duke i thënë zotit Kurtit që ti i ke 48 deputetë vazhdo ose tërhiqu nga mundësia e formimit të qeverisë pra ka plot opsione. Nuk do të thotë ulja në tavolinë koalicion”, ka thënë ai.
Megjithatë, Gashi e kritikoi ashpër përmbajtjen e letrës së Kurtit.
Diskutimi duhet bërë nga të gjitha partitë politike. Edhe refuzimi është i arsyeshëm, sjellja që ka bërë Kurti sidomos ndaj LDK-së, edhe gjuha që e ka bërë në letrën që e ka dërguar për mendimin është e papranueshme nuk është në drejtën e tij për të treguar se kush është i duhuri dhe kush nuk është brenda LDK-së…”, ka deklaruar Gashi, para mediave.