Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim i përkohshëm lidhur me komunikimet dhe vizitat e Hashim, Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Trupi gjykues ka aprovuar pjesërisht kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të pezullojë çdo vizitë dhe komunikim me persona të paprivilegjuar për tre të arrestuarit nga Gjykata Speciale, raporton “Betimi për Drejtësi”“GRANTON, Kërkesën, pjesërisht; URDHËRON Sekretarin që të kufizojë përkohësisht kontaktet e tre të akuzuarve në përputhje me kushtet e përcaktuara në paragrafin 5 më lart, në pritje të përcaktimit përfundimtar të Panelit për bazueshmërinë e Kërkesës; c) URDHËRON Sekretarin që të sjellë në vëmendjen e menjëhershme të Panelit dhe Palëve çdo shkelje (të dyshuar ose tentuar) të urdhrit të Panelit, çdo parregullsi ose ndonjë vështirësi në ekzekutimin e urdhrit të Panelit; dhe d) URDHËRON Sekretarinë që të paraqesë parashtresat mbi Kërkesën deri në mesditën e së martës, 21 nëntor 2023, dhe Mbrojtjen t’i përgjigjet Kërkesës dhe Zyrës së Regjistrimit”, thuhet në vendimin e nxjerrë nga paneli gjykues.
Me anë të vendimit të datës 17 nëntor 2023, Paneli i trupit gjykues me kryetar gjyqtarin Charles Smith III ka ndaluar çdo vizitë për tre të akuzuarit nga individë të jopriveligjuar derisa të vendoset mbi bazueshmërinë e parashtrimeve të ZPS-së.
Sipas këtij vendimi, informacioni i vendosur para panelit sugjeron se ekziston rrezik real që informacionet konfidenciale të zbulohen nga individë që nuk kanë të drejtë t’i marrin ato.
“Informacioni i vendosur para Panelit sugjeron se ekziston një rrezik real që informacioni konfidencial t’u zbulohet individëve që nuk kanë të drejtë t’i marrin ato. Zbulimi i paligjshëm i një informacioni të tillë mund të ndikojë negativisht në mbrojtjen efektive të viktimave dhe dëshmitarëve dhe integritetin e procedurave. Prandaj, Paneli do të urdhërojë masa të përkohshme të nevojshme dhe proporcionale me nevojën për të parandaluar zbulimin e një informacioni të tillë përpara se Paneli të jetë në gjendje të vendosë për bazueshmërinë e aplikimit të PSP-së. Paneli është i kënaqur që masat e urdhëruara më poshtë janë në përputhje dhe në përputhje me mbrojtjen efektive të të drejtave themelore të të akuzuarve”, thuhet në vendim.
Paneli ka theksuar se kufizimet e miratuara në vendim nuk do të zbatohen në kontaktet e priveligjuar.
“Paneli thekson se kufizimet e miratuara me këtë vendim nuk zbatohen për kontaktet e privilegjuara me avokatin dhe bashkë-avokatin e specializuar siç përcaktohet në rregullën 111. Po ashtu, vizitat speciale sipas kuptimit të nenit 5(1)(d) të udhëzimit për Vizitat me Video dhe neni 23(1) i PD-së për Vizitat dhe Komunikimet mbeten të paprekura”, thuhet në vendim.
Ndërsa, lidhur me proporcionalitetin, paneli i gjyqtarëve ka konsideruar se nuk ka masa më pak kufizuese që do të siguronin mbrojtjen efektive të dëshmitarëve, informacionit konfidencial dhe ruajtjen e integritetit të procedurave deri në momentin kur të dëgjohen parashtresat nga palët.
“Për sa i përket proporcionalitetit, Paneli konsideron se nuk ka masa më pak kufizuese që do të siguronin mbrojtjen efektive të dëshmitarëve, informacionin konfidencial dhe integritetin e procedurave deri në momentin kur Paneli mund të dëgjojë parashtresat nga Mbrojtja dhe Sekretaria dhe të vendosë çështje për meritat e saj. Paneli është i mendimit se arsyet e lartpërmendura që mbështesin domosdoshmërinë e masave zbatohen, në të njëjtën mënyrë, për proporcionalitetin e masave”, thuhet tutje.
Ndërsa, përmendet se këto kufizime janë të përkohshme deri në pritje të përcaktimit përfundimtar mbi bazueshmërinë e kërkesës.
“Paneli thekson se kufizimet janë miratuar vetëm si masa të përkohshme në pritje të përcaktimit përfundimtar të Panelit për bazueshmërinë e Kërkesës. Në vlerësimin e proporcionalitetit, Paneli gjithashtu ka marrë parasysh faktin se kufizimet nuk zbatohen për kontaktet e privilegjuara ose vizitat e veçanta siç përcaktohet në paragrafin 6 më lart. Prandaj, Paneli konsideron se masat e përcaktuara në paragrafin 5 janë proporcionale”, thuhet në vendim.
Veç tjerash, në këtë vendim potencohet se paneli nuk është në gjendje të shqyrtoj ndarjen apo pezullimin e menjëhershëm të të gjitha komunikimeve në mes të tre të akuzuarve.
“Në këtë fazë, Paneli nuk është në gjendje të shqyrtojë ndarjen dhe pezullimin e menjëhershëm të të gjitha komunikimeve të tre të akuzuarve pa parashtresa nga Sekretaria dhe Mbrojtja. Në lidhje me këtë, Paneli urdhëron Zyrën e Regjistrimit që deri në mesditë të së martës, 21 nëntor 2023, të paraqesë parashtresa mbi Kërkesën, në veçanti për: (i) realizueshmërinë e masave të kërkuara nga ZPS-ja; (ii) burimet dhe koha e nevojshme për zbatimin e masave të tilla, nëse ato urdhërohen; (iii) çdo masë shtesë ose alternative që ajo e konsideron të disponueshme, në varësi të vendimit të Panelit, për të adresuar rreziqet e identifikuara nga ZPS; dhe (iv) çdo çështje tjetër që e konsideron të përshtatshme për t’u ngritur në lidhje me kërkesën”, thuhet në vendimin e nxjerrë nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Tutje, thuhet se Paneli ka urdhëruar mbrojtjen e tre të akuzuarve që t’i përgjigjet Kërkesës dhe parashtresave të Sekretarisë jo më vonë se ora 16:00 e së mërkurës, 22 nëntor 2023.
Zyra e Prokurorit të Specializuar me 17 nëntor 2023, ka kërkuar nga Paneli i Trupit Gjykues që të pezullojë vizitat dhe të gjitha komunikimet për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
Në parashtrimet e kryeprokurores së specializuara Kimberly Ëest, thuhet se Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli kanë zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe dëshmive konfidencialet tek personat që i vizitojnë ata në Qendrën e Paraburgimit..
“Hashim Thaç, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi (“Tre të akuzuarit”) kanë shkelur urdhrat e Trupit Gjykues duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose duke shpërndarë përmbajtjen e dëshmive konfidenciale personave që i vizitojnë ata në Qendrën e Paraburgimit”, thuhet në parashtrimet e Kimberly Ëest.
Tutje thuhet se hetimet e ZPS-së kanë zbuluar se ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të penguar procedurat duke lëshuar udhëzime se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët.