Gjykata e Apelit ka nxjerrë vendim për aprovimin e ankesës së avokatit, Besnik Berisha, në çështjen penale kundër tij, raporton Gazeta Sinjali.
Me këtë vendim, Apeli ka kthyer në rivendosje vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj në rastin kundër Berishës, ndaj të cilit Prokuroria ka ngritur dyshime për tri vepra penale.
Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe ankesave të paraqitura, vlerësoi se aktvendimi i ankimuar duhet anuluar dhe kthyer në rivendosje, për shkak se i njëjti është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, sepse Gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye lidhur me ekzistimin e dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.
Sipas aktvendimit të Apelit, në pjesën arsyetuese nuk janë paraqitur në mënyrë të qartë dhe të plotë vlerësimet se në cilat fakte dhe prova është bazuar Gjykata me rastin e marrjes së aktvendimit me të cilin ka caktuar masat ndaj të pandehurve.
Gjykata e Apelit vlerësoi se aktvendimi me të cilin të pandehurve iu janë caktuar masat e sigurisë, në mungesë të vlerësimit dhe arsyetimit të nevojshëm, është jo i drejtë dhe si i tillë nuk mund të qëndrojë si i ligjshëm.