Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku , është pyetur sot në lidhje me disa lajme të publikuara se investitori Mohamed Alabbar është tërhequr nga projekti i ndërtimit të portit të Durrësit duke i shitur aksionet tek një kompani offshore.
Ka qenë Qendra Kombëtare e Biznesit që thuhet se nuk ka pranuar regjistrimin e kësaj kompanie pasi nuk dihet se nga vjen.
Duke iu përgjigjur kësaj pyetje ministrja Balluku, është shprehur se nesër do të ketë një interpelancë kërkuar nga deputeti Ferdinand Xhaferraj, ku edhe do japë informacionet e nevojshme.
“ E para kompania statusin e investitorit e ka marrë nga AIDA dhe pyetjen duhet ta merrni nga kjo kompani. Por nesër ka një seancë të kërkuar nga deputeti Xhaferi. Fantazmë apo jo është diçka që e thotë opozita . Duhet të thelloheni në dokumente. Lëvizjet mes kompanive janë normale për sa kohë ato kanë akte ligjore. Besoj se do merrni përgjigjet.” tha Balluku.
Çfarë ka ndodhur?
Fillimisht u tha se zhvilluesi i projektit për Portin e Durrësit do të ishte kompania nga Emiratet e Bashkuara Arabe “Emaar Group”, por më pas nuk u fol më në lidhje me këtë kompani, por në Qendrën Kombëtare të Biznesit u regjistrua një tjetër kompani që merrte përsipër këtë investim. Ajo quhet Symphony Real Estate Development dhe ka një kapital vetëm 10 mijë lekë. Rezulton nga të dhënat se pronari i Symphony Real Estate është një kompani guackë nga ishujt Kejmen e quajtur Symphony Invest Limited.
Kjo kompani është e regjistruar në ishujt Cayman, të cilat njihen si “baza” e kompanive offshore. NIsur nga ky fakt, kompania në fjalë nuk është pranuar të regjistrohet nga Agjencia e Investimeve Stragjike pasi nuk ka të dhëna mbi pronësinë e vërtetë të saj.
Ka qenë pikërisht ky fakt që ka shkaktaur pikëpyetje të mëdha në opinionin publik duke bërë që Balluku të përgjigjet sot në lidhje me çështjen në fjalë. Pritet që nesër në Kuvend të ketë një interpelancë për këtë çështje të thirrur nga deputetit Ferdinand Xhaferaj. /abcnews.al