Deputeti gjerman Knut Abraham, i ka bërë thirrje Italisë e cila është duke udhëhequr me presidencën e Këshillit të Europës, që ta vendos Kosovën në agjendën e takimit të 20 majit ku do të mblidhen në Torino Komiteti i Ministrave të shteteve që janë anëtare të Këshillit të Europës, raporton Gazeta Express.
“Koha për të vepruar: I bëj thirrje qeverisë italiane që ta vendosë në agjendë propozimin e Kosovës tani, në mënyrë që të diskutohet në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës në Torino të premten. Momenti i duhur duhet të përdoret tani”, ka shkruar në Twitter deputeti nga CDU/CSU.
Abraham ka pasur një thirrje edhe për qeverinë gjermane.
“Qeveria Federale duhet ta mbështesë në mënyrë proaktive aplikacionin. Çështja tani është të mos humbni kohë”, shkroi ai.
Të premtën Komiteti i Ministrave të shteteve anëtare të Këshillit të Europës do të mblidhet në Torino të Italisë. Kjo do të jetë mbledhja e fundit me Italinë si kryesuese të Presidencës së Këshillit të Europës.
Kosova të enjten e dorëzoi zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Europës.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha sot se beson se të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën do ta japin mbështetjen e tyre në këtë proces.