Sanksionet për Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nga komuniteti ndërkombëtar mund të fillojnë qysh nga kjo javë, meqë qeveria ka refuzuar të rreshtohet me partnerët ndërkombëtarë sa i takon çështjes në Veri të Kosovës, ka kuptuar Albanian Post nga burime diplomatike të përfshira thellë në procesin negociues.
“Pika ku të gjithë në komunitetin perëndimor pajtohen është që, nëse nuk reflekton, Kurti duhet izoluar!”, ka thënë burimi për AP-në.
“Ky është një proces që tashmë ka nisur. Me shumë gjasë brenda pak javësh aktiviteti i vetëm ndërkombëtar i Kurtit do të jetë pjesëmarrja në tryeza të organizuara nga OJQ evropiane, edhe pse edhe kjo do të reduktohet dukshëm”, thotë burimi.
“Aktivitetet tij të vetme ndërkombëtare do të jenë vetëm ato drejt Brukselit, për çështje të dialogut, apo në Berlin dhe Paris, përsëri vetëm për çështje të dialogut. Po ashtu çfarëdo kontakti tjetër përmbajtësor ndërkombëtar me Kurtin do të reduktohet ekskluzivisht në çështje që kanë të bëjnë më dialogun. Dhe, këtë duhet ta qartësojmë mirë, këto komunikime nuk do të jenë negociata. Kurti e di fort mirë çfarë pritet nga ai”, sqaron burimi i AP-së.
Në deklarime të veçanta, sekretari amerikan Antony Blinken dhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kanë thënë që moszbatimi i kërkesave të komunitetit ndërkombëtar do të ketë pasoja në marrëdhëniet e Kosovës me komunitetin perëndimor.
“Në rast të eskalimit të situatës në terren nuk përjashtohen masa të tjera më të ashpra të sanksioneve personale. Prapë duhet ta themi qartë: askush më nuk është duke u tallur”, thotë burimi i AP-së duke cituar zyrtarët e komuniteti ndërkombëtar.
Por, “komuniteti perëndimor nuk e sheh vetëm Kurtin fajtor ekskluziv. Situata në veri është pasojë e një serie vendimesh të gabuara, përfshirë edhe vendimin e Beogradit për bojkot të zgjedhjeve, përkundër akordit të Ohrit të 18 Marsit 2023. Por kjo është një çështje e veçantë me, po ashtu, trajtim të veçantë”.
“Komuniteti perëndimor e ka kuptuar që si Kurti ashtu edhe Vuçiç e kanë kthyer dialogun në një instrument të politikave të tyre të brendshme. Prandaj, duke mos dashur që të bëhemi pjesë e kësaj loje, nëse Kurti dhe Vucic qëndrojnë në vendnumëro, komuniteti perëndimor nuk do të hezitojë të ndërmarrë masa për të ruajtur paqen dhe sigurinë, pavarësisht reagimit të palëve”.
Pika e fundit e akordit të Ohrit i jep të drejtë komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë masa të caktuara si ndëshkim për mungesën e konstruktivitetit dhe gatishmërisë për të përmbushur obligimet e dala nga marrëveshja bazë.
Problem në vetë është fakti që nuk ka shumë opsione ndëshkuese për Kosovën. Kosova nuk ka asete jashtë vendit, nuk ka qasje në bursa tregtie ndërkombëtare, e të ngjashme. Në fakt masat ndëshkuese ndaj Kosovës janë bazike, aq bazike saqë mund të duken edhe brutale.
Prandaj këto masa do të jenë: “Si bartës i procesit të dialogut, i takon Bashkimit Evropian të ndërmarrë hapat e parë. Prandaj, një nga hapat e parë do të jetë rishikimi i asistencës që vjen programet e para-anëtarësimit në BE, një masë tërësisht brenda akordit të Ohrit; Zvarritja e procesit të anëtarësimit në Këshill të Evropës; Rishikimi i një pjese të mirë të programeve të financuara nga Qeveria Amerikane; Rishikim i mbështetjes për Ushtrinë e Kosovës dhe forcat tjera të sigurisë, një vendim tjetër shumë i dhimbshëm; Rishikim i çfarëdo rruge apo instrumenti që Kosovën e afron me NATO-në”.
“Po ashtu, të mos ketë dyshime, në rast të përshkallëzimit të situatës në terren, pa asnjë dyshim, ministrat e brendshëm të BE-së, do të rekomandojnë shtyrjen e datës për liberalizim të vizave. Ky vendim do të bazohet tërësisht në detaje teknike (rritja e pasigurisë së përgjithshme, rritja e rrezikut për migrim, etj), por, pavarësisht justifikimit zyrtar, në esencën e vet është ndëshkim për Kosovën. Kjo punë është thjesht kështu”, ka thënë burimi për AP-në.
“Spektri i gjerë në Kosovë duhet të jetë i vetëdijshëm që një masë tjetër ndëshkuese është zbehja e mundshme e mirëkuptimit për sovranitetin e Kosovës në veri të vendit. Fatkeqësisht, siç po shkojnë gjërat, komandanti i KFOR-it shumë shpejt mund ta ketë mbështetjen e nevojshme politike për të ushtruar në plotësi autorizimet e tij të gjëra. Fatkeqësisht, veriu i Kosovës fare mund të shndërrohet në një mini-republikë të KFOR-it”, thotë po ashtu burimi i Albanian Post.
“Në rast të prolongimit të tensioneve në veri të Kosovës, komuniteti perëndimor do të detyrohet që të ketë mirëkuptim për një zgjidhje që merr në konsideratë veçantinë e veriut të Kosovës, si një rajon kompakt, si në aspekt etnik ashtu edhe gjeografik. Nëse situata progreson drejt kësaj pike, kjo gjë nuk do të ndodhë si pasojë e ndonjë konspiracioni apo agjende sekrete, siç aludojnë eksponentët qeveritar në Prishtinë, por ekskluzivisht si pasojë e vendimeve të njëanshme dhe të pamenduara të Kurtit”, deklaron burimi.
Sa i përket rrëzimit eventual të qeverive, folur në Prishtinë, burimi i AP-së thotë se “askush nuk ka plane sekrete për ta rrëzuar Kurtin apo Vuçiçin”.
“Nëse Kosova dhe Serbia e pësojnë shkaku i veprimeve të liderëve të tyre, i takon popullit të Kosovës dhe atij të Serbisë të reflektojë mbi rrugën e vet para. Jemi shumë të sigurt që pasi të kalon dalldia nacionaliste, njerëzit do të nisin të kujtohen për problemet e tyre reale. Dhe natyrisht që do të kërkojnë përgjegjësi. Por, në ndërkohë, në Shtëpinë e Bardhë, apo në Komisionin e ri Evropian, mund të jenë disa njerëz të tjerë, me shumë më pak mirëkuptim dhe vullnet të mirë”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit. /Albanianpost.com