Këngëtarja e dashur për publikun, Anxhela Peristeri, ishte sot e ftuar në emisionin “Live from Tirana”, ku ka folur për bashkëpunimin e saj të fundit me G-Banin. Ata kanë risjellë hitin e G-Banit të vitit 2006 me Crazy Girl, “Të dua”.
Por jo vetëm kaq, pasi Anxhela ka zbuluar edhe se si do të jetë ky sezon veror për të.
“Nuk bëj krahasime. Kënga “Habibi” që solla vjet në verë ka dalë në korrik, ka qenë e paplanifikuar. Këtë e kam nxjerrë që në maj, e kam hapur që në fillim sezonin. Jam nga ato që nuk i duroj xhirimet e videoklipeve. Por është diçka që duhet ta bëj, por e bëj me vështirësi. Por procesi i regjistrimit në studio më pëlqen shumë”, tha këngëtarja e njohur.
E pyetur se çfarë e bën një këngë hit, Peristeri u shpreh:
“Këngën e bën hit veçantia. Tregu është tejmbushur, këngëtarët janë bërë si fabrikë. Duhet të gjesh diçka të veçantë, një këngë të veçantë. Unë kam filluar të mos nxjerr shumë këngë. Dua të nxjerr këngë që të ngelin gjatë, jo thjesht për numër”.
Pjesë nga intervista:
Në fund të ditës, a mendon se ia vlen i gjithë mundi dhe lodhja?
Për sa kohë bëj atë që dua, ia vlen gjithmonë. Kam nxjerrë këngë që dua të nxjerr, jo që duhet të nxjerr.
A ke gabuar ndonjëherë në karrierë?
Jo.
Nga ana tjetër, ti ishe e pranishme edhe në “afterparty” që u bë për “Big Brother VIP” ku performove këngët e tua. Si tu dukën banorët e “Big Brother VIP” dhe kush po e shijonte më shumë kur po këndoje?
Efi, sepse e kisha përpara meje. Banorët ishin të gjithë aty përpara. I falënderoj sepse kanë qenë shumë mbështetës, i këndonin dhe i kërcenin këngët e mia. Nuk kam shumë njohuri për “Big Brother”. Kam filluar ta ndjek këto katër vitet e fundit. Showbiz-i zakonisht kështu është, puthu e shahu prapa krahëve. Ata që kanë qenë të vërtet me njëri-tjetrin do të vazhdojnë të jenë, ata që nuk kanë qenë nuk do të jenë.
Ti këndove gjithashtu dhe me Luizin dhe videoja bëri xhiron e rrjetit. A mendon të bësh një duet me të?
Kur kam qenë e ftuar në BBV, Luizi, Kristi, Maestro dhe Olta kanë qenë në burg dhe nuk ishin të pranishëm. Prandaj e këndova aty dhe Luizi u afrua ta këndonim bashkë. Dueti më pëlqeu shumë sepse ai përshtatet me natyrën time. Mendoj që do dëgjohej shumë bukur me zërat tanë, siç edhe ndodhi për aq sa zgjati. Nëse do të kishte një bashkëpunim mes meje dhe atij, do preferoja të ishte një baladë. Ai ka një zë shumë të ngrohtë dhe kjo do të na shkonte më shumë.
Do të kemi këngë të reja së shpejti?
Doja dhe një hit për verën, por nuk më ka ardhur diçka që të më ngrohë mjaftueshëm. Për momentin do mjaftohem me këtë me G-Bani, që do të mbulojë të tre muajt e verës. Më pas vjen një tjetër këngë në tetor.