Me kërkesë të prokurorit special Valdet Gashi, i cili ka kërkuar më shumë kohë për përgatitje të rastit, pasi lënda është kthyer në plotësim sipas rekomandimeve të Gjykatës së Apelit, është anuluar seanca e paraparë për të mërkurën në rastin e njohur si “Veteranët”.
Anulimin e kësaj seance për “Betimi për Drejtësi” e bëri të ditur gjykatësi i rastit, Gazmend Bahtiri.
Në këtë rast për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Gjykatësi Bahtiri tha se më 16 dhjetor 2022 e kanë kthyer lëndën në plotësim sipas rekomandimeve të Gjykatës së Apelit, e për këtë arsye prokurori special Gashi ka kërkuar kohë shtesë të përgatitet për rastin.
Kurse, seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 15 qershor 2023.