Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, ka thënë se takimi i Porfirije në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, është një zhvillim shqetësues. Kurti ka thënë se Kisha Ortodokse serbe ka luajtur rol aktiv politik, duke e lidhur këtë udhëtim të Porfirije me një tjetër që Aleksander Vuçiq pritet ta realizojë në muajin e ardhshëm.
Kurti thotë se patriarku serb ka kërkuar riorganizim gjeopolitik nën direktivat ruse.
“Patriarku bëri thirrje për një riorganizim më të gjerë gjeopolitik nën udhëheqjen ruse, duke përsëritur se “anija e vogël [serbe], që lundron në det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur me një anije të madhe ruse”.”, ka shkruar Kurti në X.
Kreu i LVV-së thotë se ky partneritet është partneritet strategjik i regjimeve autoritare që e rrezikon seriozisht rajonin.
“Kjo nuk është diplomaci fetare, është një partneritet strategjik i regjimeve autoritare, duke e vënë rajonin në rrezik serioz. Kosova, megjithatë, qëndron e vendosur në parimet dhe aspiratat e saj demokratike dhe pa mëdyshje refuzon agjendat revizioniste të drejtuara nga fuqitë autoritare”, ka përfunduar Kurti./Gazeta Papirus/