Kaçabashi i katundit
Dikur moti në një fshat kishte shumë telashe dhe askush nuk dëshironte të bëhej prijës i fshatit. U mblodhën më të menqurit e fshatit dhe thanë po e bëjmë prijës Hasanin, një djalosh shumë problematik. E bindën disi Hasanin, por ai kishte një kusht: ”do bëhem i parë i fshatit nëse pranoni që kushdo që vdes mos me varrosë pa praninë time?!”, meqë nuk kishin zgjidhje tjetër u pajtuan dhe ashtu u vendos.
Nuk varrosej kush pa prezencën e Hasanit. Ndodhte që e prisnin nga dy-tri ditë që të kryenin ceremoninë e varrimit të personave derisa vinte Hasani nga “angazhimet” që kishte. Por Hasani kishte një shprehi të çuditshme që i bënte kurioz gjithë rrethinën. Ai u fliste kufomave në vesh, u murmuriste diçka dhe pastaj u thoshte:”tash mund ta vorrosni.” Dikur i bënë presion që t’u tregonte se çfarë u murmuriste kufomave në vesh. Dikur Hasani u tregoi:”po u them të ndjerëve tregonu atyre atje se në çfarë derexheje ka ra katundi ynë, haj medet e haj, Hasani është bërë Kaçabash i katundit.”