Komentatori i njohur i futbollit, Andin Lokaj, ka premtuar ‘veprim radikal’ nëse Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, nuk lirohet nesër.
Ademi është ndaluar nga organet shtetërore për 48 orë për akuzat siç thuhet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë: ‘Keqpërdorim i besimit’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas ndërmarrjes se veprimeve paraprake hetimore, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së. I njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje penale.”, shkruhej në komunikatë.
Lokaj ka reaguar në rrjetin social Facebook, duke thënë se do ta quajë Federatën e Futbollit kosovar si Federatë të Kim Jung, nëse Agim Ademi nuk lirohet deri nesër.
“Shtetit Kore e Veriut
Nga nesër.
Nëse nuk lirohet Presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe nëse nuk kthehet në pozitën e tij të cilën e ka kryer në mënyrë briliante deri më tani, unë do t’a konsideroj Federatën e futbollit kosovar si Federatë të Kim Jung.”
Më herët gjatë ditë komentatori Andin Lokaj për Nacionalen ishte shprehur se arrestimi i Ademit nuk do të ndikojë te paraqitja e Kombëtares ndaj Izraelit.
“Jo nuk ndikon sepse kombëtarja nuk luan as për mua as për individë, por për një komb dhe shtet në tërësi”.
“Ekipi është në top formë, lojtarët janë si kurrë më parë të motivuar, janë duke kaluar momente fantastike në ekipet e tyre me të cilat kanë kontrata tanimë stabile, dhe kjo ka shumë rëndësi”.
“Lojtarët janë profesionistë dhe pjesën e tyre të punës e kryejnë në terren. Kjo pjesa tjetër që po ndodh është mënyra më e keqe për të njollosur një punë të vështirë që është bërë dhe mënyra është e tmerrshme ngase po ndodh 2-3 ditë para ndeshjes së parë, kështu në botë nuk ka”, tha ai.