Hisni Gecaj është një nga personat e përfshirë në përleshjen me armë zjarri në lokalin “Bon Vivant”. Gecaj i cili është pjesëtar i FSK-së për rreth 15 vite deklaron se është gjendur rastësisht në këtë situatë.
Dosja e siguruar nga Gazeta Insajderi posedon edhe deklaratën e plotë të Gecajt. Ai e ka përshkruar vetën si një person human teksa pretendon se në vendin e ngjarjes dëshironte t’i shpëtonte të implikuarit nga konflikti.
Avokatja e tij, Luljeta Maxhuni ka kundërshtuar kërkesën e prokuorisë për 30 ditë paraburgim me arsyetimin se i mbrojturi i saj është gjendur në vendin e gabuar.
Maxhuni ka thekson se Gecaj nuk ka kryer asnjëherë ndonjë vepër penale.
“Nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, elementi qenësor mungon për arsye se prokurori nuk ka arritur t’i siguroj provat me të cilat dëshmohet se i mbrojturi im ka kryer këtë vepër penale. I mbrojturi im është gjendur vetëm në vendin dhe kohën e gabuar sa i përket kushteve të veçanta ligjore rreziku i ikjes, ndikimi në dëshmitar apo kryerja e një vepre tjetër penale nuk qëndron. Të mbrojturit tim i dihet vendbanimi, është baba i dy fëmijëve nuk ka qenë asnjëherë i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale apo të ngjashme, ka punë të rregullt rreth 15 vite në FSK. Është mbajtës i familjes dhe i premton gjykatës se do të përgjigjet sa herë që i kërkohet”, thuhet në deklaratën e avokates.
Ndërsa i pandehuri Hisni Gecaj thotë se në lokal ishte vetëm por e njihte Andi Pajazitin dhe Kastriot Ramadanin tashmë i ndjerë.
Ai shton se kur nisi konflikti nuk e dinte se grupet ishin të armatosura dhe kishte ndërhyrë që situata të mos eskalonte.
“Siç e tha edhe avokatja ime unë kam qenë në vendin dhe kohën e gabuar. Unë e kam vërejtur se situata po eskalon dhe kam dashur që të ndërhyjë që të parandaloj eskalimin për arsye se në fillim ka nisur si rrahje dhe nuk e kam ditur se do të përdoren armët. Unë kam qenë vet por kur kanë filluar kacafytjet pasi që unë e njoh Andin por edhe të ndjerin kam dashur që të ndërhyjë për t’i ndarë, kështu që pas kësaj ndërhyrjes time edhe Andi edhe i ndjeri më kanë bërë me shenjë të gishtit që mos u shqetëso se gjithçka është në rregull dhe mua më kanë lënë të kuptojë se raportet janë të mira”.
“Për mua ka qenë humane ndërhyrja ime pasi qëllimi im ka qenë që të parandalohet konflikti. Thikën e kam mbajtur pasi që është thikë ushtarake që e mbajmë në ushtri, thika ka qenë 5-6 cm dhe ngjyrën e ka ushtarake, jam i bindur se unë e kam derën e hapur tek të dyja palët”, deklaron pjesëtari i FSK-së.