Kosova, në sytë e analistit serb, Dushan Janjiq, është më e përgatitur për dialog sesa Serbia.
“Në Prishtinë ka institucione, një ekip negociator, një këshill ekspertësh, është e qartë se qeveria merret me negociatat me Beogradin, rregullat dihen, tek ne nuk e di kush merret me të, duhet të jetë Petar Petkoviqi”. Kështu përgjigjet ai në pyetjen se kush merret realisht me thelbin e dialogut.
Janjiq tha për N1 se presidenti serb Aleksandar Vuçiq është ndoshta negociatori kryesor dhe i vetëm dhe shtoi se Serbia nuk është e gatshme për dialog serioz.
“Nuk jemi gati për dialog serioz, nuk kemi ekip ekspertësh, zakonisht negociatori nuk duhet të jetë politikan, supozoj se do të jetë Ivica Daçiq. Problemi këtu është frika për të bërë ndonjë gjë, kujt do t’i bartet përgjegjësia. Të gjitha qeveritë që nga Koshtunica e deri këtu jetojnë në deluzionin e tyre ideologjik dhe e mashtrojnë popullin se Kosova është pjesë e Serbisë. Po, në hartë dhe zyrtarisht ligjërisht, por në realitet Kosova është një territor nën kontrollin e autoriteteve të Kosovës”, thotë Janjiq.
Afati i ri-regjistrimin e automjeteve i caktuar nga Qeveria e Kosovës skadoi sot. Përkundër presionit ndërkombëtar, Qeveria e Albin Kurtit njoftoi se nuk do të ketë vonesa në afat, përkatësisht nga e marta deri më 21 nëntor qytetarët me targa të Serbisë do të qortohen dhe se pas kësaj date do të gjobiten.
Ai beson se Kurti ka bërë “gjysmë hapi” kur është fjala për riregjistrimin, pasi nuk ka pranuar sugjerimin e ndërkombëtarëve që shtyrja të jetë 10 muaj.
“Karakteristikë e tij është loja afatshkurtër, me sa shoh të gjithë e mbështesin. 31 korriku duhej të ishte data e parë, tani është tetori, shiko sa është zhvendosur. Zgjidhja e problemit të targave ka nisur që nga viti 2017. Tani presim lëvizjen e Beogradit”, shtoi ai.
Janjiq thotë se shtetet e Quint-it e kanë të qartë se Kurti dhe Vuçiq nuk do të bien dakord për një zgjidhje të qëndrueshme për targat.