Ambasadorja e Kosovës në Portugali, Edona Maloku, ka marrë pjesë në konferencën “Civilët e panjohur-thirrje globale për drejtësi”, me ftesë të ambasadores së Ukrainës në Portugali, Marina Mykhalienko.
Maloku ka shkruar se rrëfimi i ukrainases Olena për përjetimet e saj të rënda pas burgosjes nga rusët, ia ka kujtuar vuajtjet e popullit të Kosovës gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Rrëfimi i Olenës për tmerret e përjetuara nën burgosjen ruse më riktheu vuajtjet e popullit tonë gjatë luftës në Kosovë. Në mes lotësh për historinë e saj, i tregova Olenës për simbolin që po mbaja në krahëror – broshin e kurajos që mbart në vete dhimbjen e më shumë se 20,000 të mbijetuarave të dhunës seksuale në Kosovë e që ndajnë dhimbje të ngjashme me të”, ka shkruar ambasadorja.
“Kosova e ndjen dhimbjen e Ukrainës dhe popullit të saj për luftën e drejtë që po bënë”, ka shtuar tutje ajo.
Postimi i plotë:
Në Lisbonë, zëri i të mbijetuarave të luftës së Kosovës përcillet tek e mbijetuara ukrainase e torturës në shenjë solidariteti me popullin e Ukrainës
******************
Me ftesë të Ambasadores së Ukrainës në Portugali, Marina Mykhailenko, mora pjesë në konferencën “Civilët e panjohur – thirrje globale për drejtësi” që u mbajt me rastin e trevjetorit të agresionit rus në Ukrainë.
Në kampusin e “Nova Business School” dhe në prani të mysafirëve të shumtë, diskutimi u fokusua në panelin e përbërë nga Olena Yahupova (e burgosur civile), Lejtnant-Kolenele Inna Zavorotko (Zëvendës-Shefe e Departamentit të Ligjit Ndërkombëtar të Ministrisë së Mbrojtjes në Ukrainë), Anastasia Golovnenko (aktiviste për të drejtat e njeriut) dhe Martha Vytrykovska (Zëvendës-Shefe e Departamentit për Çështjet e Ukrainës dhe Çështjeve të Shërbimit të Jashtëm Evopian). Nën moderimin e analistit gjeopolitik me renome Nuno Rojeiro, u diskutua për fatin tragjik të ukrainasve që burgosen apo deportohen me forcë në Rusi tani e tri vite.
Rrëfimi i Olenës për tmerret e përjetuara nën burgosjen ruse më riktheu vuajtjet e popullit tonë gjatë luftës në Kosovë. Në mes lotësh për historinë e saj, i tregova Olenës për simbolin që po mbaja në krahëror – broshin e kurajos që mbart në vete dhimbjen e më shumë se 20,000 të mbijetuarave të dhunës seksuale në Kosovë e që ndajnë dhimbje të ngjashme me të. Si Ambasadore e Republikës së Kosovës dhe në shenjë solidariteti me të e gjithë Ukrainën, e hoqa broshin e kurajos nga krahërori im dhe ia dhurova Olenës në skenën e panelit.
Përqafimi mes nesh, deri atëherë dy gra të panjohura e të patakuara më parë, tregon më së miri se sa shumë Kosova e ndjen dhimbjen e Ukrainës dhe popullit të saj për luftën e drejtë që po bënë.
Slava Ukraini!
#KosovaInLisbon
QPDG – Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave
Photo Credit: Liza Akulova