Ambasadori i Kosovës në Austri, Lulzim Pllana, thotë se të 20 udhëtarët që u lënduan në aksidentin e autobusit kosovar në Salzburg janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Pllana tha se personalisht ka vizituar të gjithë të lënduarit dhe të njëjtit pas trajtimeve mjekësore ditëve në vijim do të marrin rrugën për në Gjermani ku edhe ishin nisur.
“Me të marrë informacionin së bashku me atasheun e Policisë së Kosovës jemi nisur në vendin e ngjarjes dhe kemi vizituar të lënduarit nga aksidenti. Për shkak të lëndimeve që kanë pasur ata janë ndarë në dy nga spitalet dhe ne i kemi vizituar që të gjithë të lënduarit. Gjithsej kanë qenë 25 pasagjerë, ndër ta tre kanë qenë qytetarë të Kosovës dhe tre të tjerë drejtues të autobusit”, tha ai për Klan Kosova.
“Ne i kemi vizituar të gjithë të lënduarit, një i lënduar mbetet ende në trajtim në Spitalin e Salzburgut dhe të tjerët që janë qytetarë të Shqipërisë presin trajtimin. Për fat në këtë aksident nuk ka të vdekur dhe të gjithë të tjerët që janë për trajtim do të trajtohen ditët në vijim dhe pastaj do të vazhdojnë udhëtimin për në Gjermani”, tha Pllana. /Gazeta Papirus/