Në qendër të Beogradit të Serbisë janë organizuar protesta pro-rus nga grupe politike të krahut të djathtë ekstrem atje.
Protestat e së premtes në Beograd të Serbisë janë parë me çudi. Kjo pasi që pikërisht në këtë kohë, anembanë botës po organizohen demonstrata për ta kundërshtuar agresionin rus.
Korrespondenti i Wall Street Journal, Bojan Pancevski i ka komentuar këto protesta, duke thënë se grupet e djathta në Serbi kanë mbledhur një turmë të madhe për ta mbështetur sulmin rus.
“Në pjesën tjetër të Evropës, shohim protesta kundër pushtimit. Në Serbi, disa parti të djathta ia dolën ta mbledhin një turmë goxha të madhe për ta mbështetur agresionin”, ka shkruar ai.
Ndaj protestave ka reaguar edhe ish-ambasadori i Ukrainës në Austri, Olexander Scherba, duke pyetur: “Çfarë s’është në rregull me ty, Serbi?”.
Drejt këtyre protestave ka reaguar edhe njohësi i çështjeve politike të Ballkanit Perëndimor, Florian Bieber, duke thënë se këto protesta janë produkt i, siç e quan ai, glorifikimit të Putinit nga “mediat e Vuçiqit”.
“Vendet fqinje pro-sulmuese dhe bombardimet e tyre turma protestuese në Serbi. Ato janë produkt i promovimit dhe glorifikimit sistematik të Putinit dhe Rusisë nga regjimi dhe media e Vuçiqit për një dekadë rresht”, ka shkruar njohësi i çështjeve politike.
Lidhur me çështjen e protestave pro-ruse ka shkruar edhe korrespodentja e Reporterëve Pa Kufinj, Una Hajdari, duke njoftuar se protesta u organizua pranë një monumenti, i cili u përurua gjatë një vizite të Putinit në Beograd.
“Protestuesit pro-rusë u mblodhën sonte në Beograd përpara monumentit të Car Nikolai II (së cilës iu hoq shiriti gjatë një vizite të Putinit më 2014-ën). Një nga organizatorët tha se nëse Serbia vendos sanksione, do të dyfishohej numri i protestuesve”, ka njoftuar ajo.
/Lajmi.net/