Ambasadori i Qipros në Serbi, Dimitrios Teofilaktu, konfirmoi se qëndrimi i vendit të tij për mosnjohjen e Kosovës është “parimor dhe konsistent”.
“Qiproja respekton integritetin territorial të Serbisë, ashtu siç respekton integritetin territorial të të gjitha vendeve të tjera. Qëndrimi ynë për mosnjohjen e Kosovës është parimor dhe konsistent dhe jo vetëm sepse kemi një problem të ngjashëm. Për të qenë të besueshëm, ne duhet të udhëhiqemi nga qëndrime konsistente dhe parimore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, theksoi ai në një intervistë për Politika, në përfundim të mandatit të tij diplomatik në Beograd.
Ambasadori shtoi se Qiproja, në përputhje me politikën e BE-së, mbështet dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe së bashku me anëtarët e tjerë insiston në zbatimin e plotë të dispozitave që kanë të bëjnë me komunat serbe në Kosovë.