Ambasadori i Kosovës në Ankara, Agon Vrenezi, ka njoftuar se në vazhdimësi janë duke u përpjekur që të marrin informacione nga autoritetet e Turqisë në rast se ka ndonjë shtetas shqiptar që ka pësuar nga tërmeti i së hënës në Turqi.
Kështu ka thënë kur është pyetur se a ka ndonjë shqiptar që mund të ketë pësuar nga kjo fatkeqësi.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara në vazhdimësi po përpiqet të marrë informatat nga autoritetet vendore në Republikën e Turqisë dhe të përcjellë nëse në qytetet e goditura kemi shtetas tanë”, u shpreh ai.
Ndryshe, Ambasada e Kosovës në Ankara, përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, i kanë shprehur ngushëllime popullit turk.
Ndjejmë dhimbje të thellë për viktimat si pasojë e tërmetit që goditi disa provinca të Turqisë në mëngjesin e sotëm. Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për popullin e Turqisë dhe urojmë shërim të shpejtë për të gjithë të prekurit nga ky tërmet”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, ambasada ka publikuar numrat për raste emergjente nga zonat e prekura nga tërmeti, duke i lutur qytetarët që të kontaktojnë./Dukagjini
Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99
Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91
Numri i të vdekurve në Turqi e Siri po vazhdon të rritet si pasojë e tërmetit vdekjeprurës.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se numri i viktimave në këto dy shtete ka shkuar mbi 600.