Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Beograd, Christopher Hill ka thënë se fillimisht duhet që të krijohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe pastaj të procedohet me planin franko-gjerman.
Këto deklarime Hill i ka bërë në muzeun ‘Nikola Tesla’ pas nënshkrimit të një marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe USAID-it.
Ai ka thënë se Asociacioni është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Brukselit.
Sipas diplomatit amerikan, një herë duhet të përfundohet Asociacioni dhe më pas të vazhdohet me propozimin franko-gjerman.
“Nëse e lexoni tekstin me kujdes, gjashtë pikat e para kanë të bëjnë me formimin e Asociacionit dhe ky është një element thelbësor për të ecur përpara. Kjo duhet të trajtohet në radhë të parë, pasuar nga ajo që thuhet në propozimin franko-gjerman i cili gëzon përkrahje nga BE. Ky dokument ka të bëjë me ide më të gjera që kërkojnë më shumë kohë”, ka thënë Hill.
Për krijimin e këtij Asociacioni është rënë dakord në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet në Bruksel.
Dy vjet më vonë, përkatësisht në vitin 2015, palët janë pajtuar për parimet e Asociacionit, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më pas se disa prej tyre nuk janë në përputhje me ligjet e Kosovës, megjithëse ka thënë se ato të mund të harmonizohen.