Ambasadori Martin Berishaj ka reaguar për raportimet e mediave rreth fjalimit të kryediplomates Donika Gërvalla në një nga panelet e Forumit të Dubrovnikut. Gërvalla tha se BE është “tigër prej letre” që nuk mund të ofrojë siguri pa NATO-n dhe SHBA-në në Ballkan, për çka mori reagimet e emisarëve Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak.
Këtë të fundit Gërvalla e kritikoi për mënyrën se si i ka ndërmjetësuar bisedimet Kosovë -Serbi dhe ka kërkuar ndërrimin e tij.
Ndonëse, kjo ngjarje është përcjellë direkt nga mediat e Kosovës në transmetimet e ofruara nga organizatori, ambasadori Berisha i ka quajtur trillime raportimet, duke thënë se atje s’ka qenë asnjë gazetar nga Kosova e Shqipëria.
Ai ka publikuar edhe një link të një portali kroat, duke e marrë kështu rolin e mësuesit, me ç’rast ka ofruar modelin se si duhet të raportohet.
“Trillimi i rradhës apo vegëza si këndellje! Për ata që e kuptojnë gjuhën kroate e në veçanti për ata, të cilëve iu intereson e vërteta. Pa efekt për ata të mjaftohen me trillimet e radhës në gjuhën shqipe, te cilat i ofrohen lexuesit rreth “perplasjes” joekzistente të ministres znj Gërvalla me z. Escobar në Forum të Dubrovnikut (ku si duket nuk ka marrë pjesë asnjë gazetar as nga Kosova e as nga Shqipëria!)”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se ambasadori Berishaj dyshohet se është i përfshirë në një skandal financiar për shpëlarje parash në Slloveni.