Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta mes Turqisë dhe Kosovës, duke vënë në dukje mbështetjen e Ankarasë për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ambasadori, ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë janë shumë të thella dhe se Kosova si vend i pavarur ka kontribuar në stabilitetin në Ballkan.
Ai ka theksuar se shteti i tij është duke zhvilluar bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me vendin tonë.
“Marrëdhëniet tona me Kosovën janë shumë të thella dhe shumë të rëndësishme për ne, sepse besojmë se një Kosovë e pavarur dhe sovrane ka krijuar ose ka kontribuar në stabilitetin në Ballkan. Në këtë drejtim, dhe gjithashtu në përputhje me disa aleatë të tjerë të NATO-s, Turqia po zhvillon bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Kosovën. Ky është një bashkëpunim thjesht mbrojtës midis vendeve tona dhe shpresojmë që ai të kontribuojë në përpjekjet e Kosovës për ndërtimin e shtetit”, ka thënë ai.
Ambasadori Tunç Angili, ka thënë se Turqia së bashku me aleatët e NATO-s janë duke ofruar mbështetje për transformimin e FSK-së. Ai ka theksuar se FSK-ja është duke ecur në drejtimin e duhur.
“Sa i përket transformimit të FSK-së, siç mund ta dini, brenda NATO-s ekziston një kuadër i bazuar në katër shtylla për transformimin e FSK-së. Së bashku me disa aleatë të tjerë të NATO-s, si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria, edhe Turqia po ofron mbështetje për transformimin e FSK-së. Personalisht, mendoj se FSK-ja tani po ecën në drejtimin e duhur”, ka thënë ai për Ekonomia Online.