Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier ka takuar në selinë e PDK-së drejtuesin e këtij subjekti politik Memli Krasniqin.
Krasniqi ka treguar se çka kanë biseduar me diplomatin amerikan.
“Për PDK-në, siç kemi thënë nga fillimi, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, të cilat përtej dëmtimit të progresit dhe imazhit të vendit, i sollën Kosovës edhe sanksione nga partnerët kryesorë ndërkombetarë, janë tërësisht të papranueshme”, ka shkruar Krasniqi ndër të tjera.
Njoftimi i plotë i Krasniqit:
Sot, në selinë e PDK-së, kam pritur ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Situata aktuale politike, qëndrimet e PDK-së në raport me to dhe veprimet e nevojshme përpara, drejt rikthimit të Kosovës në kursin pa alternativë euro-atlantik, ishin tema të diskutimit tonë.
Për PDK-në, siç kemi thënë nga fillimi, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, të cilat përtej dëmtimit të progresit dhe imazhit të vendit, i sollën Kosovës edhe sanksione nga partnerët kryesorë ndërkombetarë, janë tërësisht të papranueshme.
Ky nuk është vullneti i qytetarëve dhe ajo për të cilën ata kanë votuar, rrjedhimisht, Ambasadorit amerikan i shpreha qëndrimin që Kosova të mos vuaj masa ndëshkuese për shkak të kryeneçësisë politike të një individi.
PDK vlerëson se kjo Qeveri e ka humbur rrugën e duhur, njëkohësisht edhe kredibilitetin e saj, prandaj, zgjedhjet e parakohëshme janë alternativa e vetme.
Ambasadorin amerikan e falënderova për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm në interes të shtetit dhe qytetarëve tanë dhe e sigurova se PDK do të angazhohet fuqishëm që përmes të gjitha mjeteve demokratike, të luaj rrolin e saj konstruktiv në shërbim të këtij interesi.