Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në takimin me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, tha se SHBA është e përkushtuar që të ndihmojë Kosovën në aspektin ekonomik.
Ai tha se vendi i tij do të vazhdojë angazhimet në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme kosovare që tërheq investime të huaja dhe krijon vende pune dinamike për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë të rinjtë.
Ndërkaq, Hajdari ka folur me Hovenier mbi objektivat e ministrisë që drejton, lidhur me zhvillimin e industrisë, inovacionit, ndërmarrësisë, turizmit, si dhe tërheqjen e investimeve, me qëllim të rritjes së punësimit dhe përmirësimit të bilancit tregtar me bazë në parimet e përgjegjësisë, llogaridhënies, transparencës, barazisë dhe gjithëpërfshirjes.
Të dy shprehën gatishmërinë për intensifikim të bashkëpunimit në fushat që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.