Ambasada ukrainase në Beograd ka akuzuar të përditshmen serbe “Politika” se ka mbështetur hapur agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, duke publikuar një intervistë me liderin e Republikës Popullore të vetëshpallur të Donetskut, Denis Pushilin.
Ambasada deklaroi se gazeta “Politika”, “duke botuar një intervistë anti-ukrainase me një nga drejtuesit e një organizate terroriste kukull, mbështeti vrasjet e qindra fëmijëve dhe mijëra të rriturve, shkatërrimin e qyteteve dhe fshatrave të shtetit sovran evropian të Ukrainës, bombardimet e përditshme të qyteteve paqësore dhe infrastrukturës civile” nga forcat ruse, transmeton Demokracia.com.
“Ambasada duhet të theksojë se me urdhër të zotit të saj, regjimit fashist rus, gazeta e përditshme Politika jo vetëm që po përpiqet të prishë marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Serbisë, por se po punon në mënyrë aktive për të minuar integritetin territorial dhe sovranitetin jo vetëm të Ukrainës, por edhe të Serbisë”, thuhet në reagim.
Ambasada ukrainase shprehu besimin e saj se “udhëheqja e Serbisë dhe autoritetet kompetente do të ofrojnë një vlerësim të përshtatshëm, përfshirë publikun, të aktiviteteve subversive të mercenarëve të Moskës, të cilët përdorin mediat serbe dhe hapësirën informative të Serbisë për të nxitur armiqësi në qendër të Evropës.”
Gazeta “Politika” në numrin e sotëm ka publikuar një intervistë me Pushilin, ndërsa në numrin e djeshëm me ambasadorin e Ukrainës në Beograd, Volodymyr Tolkaq.