Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama e ka quajtur acarim artificial tensionimin e situatës në veri.
Lama ka thënë se përkundër se qeveria e Kosovës i ka dhënë një pretekst Serbisë me vendimin për targat, sipas saj, ky vendim nuk është qëllimi kryesor i tensioneve.
Ajo ka vlerësuar se Serbia ka qëllim që ta ngre pazarin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Situata është acaruar në mënyrë artificiale, edhe pse qeveria i dha një pretekst. Eskalimi në veri është që të ngrihet pazari për Asociacionin. Nuk mendoj që Serbia e nënshkruan, ajo do që të fitojë kohë, për sa kohë që kemi luftën në Ukrainë”, ka deklaruar ajo në Pressing të T7.
Lama e ka parë si favorizuese për Kosovën propozimin franko-gjerman.
“Në marrëveshje përmendet integriteti territorial. Kjo do të thotë që Kosova të shtrijë autoritetin në të gjithë vendin dhe Serbia të heq dorë nga veriu”, ka thënë ajo.
Ish-ambasadorja ka deklaruar se për herë të parë, në propozimin franko-gjerman, nuk flitet për cështjet e brendshme të Kosovës.
“Në këtë marrëveshje nuk flitet për çështje të brendshme të Kosovës, por për marrëveshje mes dy shteteve. Në këtë marrëveshje Kosova është subjekt ndërkombëtar”, ka thënë ajo.