Kryeministri Albin Kurti sot është duke raportuar në Kuvend për ngjarjet në veri të vendit.
Ai tha se protestat atje nuk po vijë nga vullneti i popullit serb, por nga Beogradi zyrtar.
“Nuk mund t’i mbyll sytë kur grupe kriminale të llojit fashist paramilitar kërcënojnë rendin kushtetues e ligjor të Republikës. Ne jemi të vetëdijshëm që jo të gjithë janë pjesë e grupeve të tilla, por fatkeqësisht shumë qytetarë serbë për shkak të presionit e kërcënimit nga Beogradi zyrtar janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulme të grupe të tilla kriminale. Dhe aty janë tri kategori: e para – kriminelët e mbrojtjes civile – këta janë pjesa ekstremiste, shoviniste, nacionaliste që e admiron Millosheviqin e Putinin dhe merr pjesë në protesta të dhunshme. E dyta: Nga administrata publike, që po nuk dolën në protesta humbin pagën se vendin e punës nuk e di a e kanë.E treta: Janë kompanitë e Radojiçiqave dhe Veselenoviqave që iu japin pushim punëtorëve me kusht që të shkojnë në protestë të dhunshme. Ua kushtëzojnë vendin e punës me protestë të dhunshme dhe kur shkojnë në protestë të dhunshme ia shkruajnë ditë pushimi”.
Protestat vijnë prej poshtë, këto janë protesta prej lart. Këto s’janë protesta. S’është vullnet i popullit, por direktivë e Beogradit. Më vjen keq për ata që detyrohen, sepse janë ma të pa lirë. Atij i mungon më së shumti liria, por jo për shkak të Prishtinës, por të Beogradit”.
Ai tha se një pjesë e mirë e bandave kriminale u kthyen të organizuar për ta eskaluar situatën.
“Kemi pamje të mjaftueshme që eskalimi ishte i planifikuar, i mirorganizuar dhe kishte autor – Beogradin zyrtar”.