Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në veri të Kosovës ka grupe të armatosura që sillen si protestues, por që sipas tij, janë banda kriminale.
“Ka raste kur na dallojnë qasjet, por s’janë gjërat që janë thelbësore dhe kurrsesi vendimtare. Ne ndodhemi në një situatë të vështirë për shkak të grupeve të armatosura që sillen si protestues por janë banda kriminale, prej të cilëve duhet të çlirohet edhe Republika Demokratike por edhe serbët”, tha i pari i Qeverisë.
Ai foli edhe për kryetarët shqiptarë të Zubin Potokut e Zveçanit që vijë nga radhët e PDK-së e të cilët nuk po dalin në zyret e komunës për ta ushtruar funksionin e tyre.
“Unë besoj që kryetarët e zgjedhur ndonëse dalja në zgjedhje ka qenë e ulët, janë kryetarë legal të cilët kanë legjitimitet ndonëse jo të plotë dhe normal për shkak të trysnisë serbe që serbët t’i bojkotojnë zgjedhjet. Ata kandidatë që kanë garuar dhe fituar duhet ta bëjnë punën sepse për këtë paguhen. Besoj që vendi i punës duhet të jetë në vendin publik të komunës. Ka gjendje të jashtëzakonshme sikurse ajo me COVID-19, kur as ne s’kemi qenë në vendin e punës. Vendi i punës së kryetarit është në atë ndërtesë. Kemi nevojë për normalitet”, tha tutje Kurti.