Kryeministri Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për BBC, ku ka folur për sanksionet ndaj Kosovës.
Kurti ka akuzuar Perëndimin se po tregohet e butë me Serbinë në përpjekje për ta larguar nga ndikimi rus. Por, kryeministri është shprehur se kjo politikë nuk do të funksionojë.
“Ka të bëjë me situatën në veri ku thjesht në njërën anë nuk duan t’i vënë emrat e duhur ngjarjeve dhe gjërave specifike. P.sh., tre policë tanë janë rrëmbyer në territorin e Kosovës nga njësitë speciale serbe dhe nuk e quajnë agresion të Serbisë. Unë kam ofruar shumë prova. Të gjithë partnerët e mi ndërkombëtarë e dinë se kjo ka ndodhur në Leposaviq. Sipas mendimit tim, ajo që ata po përpiqen të bëjnë është; të jenë të butë me Serbinë në përpjekje për ta larguar atë nga ndikimi i Kremlinit. Mendoj se kjo politikë nuk do të funksionojë”, tha Kurti.
Kurti po ashtu është pyetur edhe për reagimet e Departamentit amerikan të Shtetit dhe BE’së për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” si organizata terroriste.
Kryeministri tha se ShBA’ja dhe BE’ja kanë qenë të njoftuar pesë ditë para se të merrej vendimi.
“Ne komunikojmë dhe koordinohemi rregullisht me të dyja, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por pastaj mua më duhet që të respektoj dhe zbatoj Kushtetutën e Republikës së Kosovë. Jam Kryeministër i Kosovës, sepse Kosova është Republikë.
“Pesë ditë para se ta merrnim këtë vendim, me të cilin i shpallëm këto dy organizata si terroriste, ata ishin të njoftuar se çfarë do të bënim. Kështu që ne koordinohemi, nuk do të thotë që ne pajtohemi gjatë gjithë kohës për të gjitha çështjet”, deklaroi Kurti për BBC.