Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka alarmuar për një veprim tjetër të pushtetit pas arrestimit të shefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.
Ai ka deklaruar se ka marrë ftesë për një mbledhje të Komisionit për Buxhet që do të shqyrtojë raportin financiar të Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin e kaluar.
Kjo është e pazakontë meqë sipas tij asnjë raport financiar për vitin e kaluar nuk është shqyrtar në këtë komision deri tash.
Ai ka thënë se kjo nuk është rastësi, duke e ndërlidhur me arrestimin e shefit të KEK-ut Nagip Krasniqin dhe me sulmet e sotme të Kurtit ndaj prokurorisë që i bëri në Kuvend.
Postimi i plotë:
Sapo na erdhi ftesa për mbledhje të Komisionit për Buxhet për të martën më 25 prill 2023, ku do të shqyrtohet “Raporti Vjetor Financiar i Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2022”.
Deri sot, asnjë raport financiar për vitin 2022 i asnjë institucioni nuk është shqyrtuar në Komisionin për Buxhet (përjashto raportin për Kuvendin e Kosovës). Ky është raporti i parë i ndonjë institucioni që shqyrtohet në Komisionin për Buxhet prej se ka filluar viti 2023.
As “Raporti vjetor i buxhetit për 2022” nuk është shqyrtuar në Komision, që është kryesori dhe, si rregull, pas tij shqyrtohen raportet e tjera.
Nuk është rastësi që menjëherë pas veprimeve të djeshme të prokurorisë, si dhe sulmit të sotëm të Kurtit ndaj prokurorisë, të angazhohen vartësit e tij për të vazhduar sulmet me mjete tjera.
Merreni me mend deri ku shkon kjo mazhorancë në marrinë e saj për të ndikuar në drejtësi. Do të jetë e pamundur të ndikojnë, vetëm se Kosova do ta paguajë në raport me integrimet euro-atlantike dhe anëtarësimet në mekanizma ndërkombëtarë.