Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, të parashtruar nga avokatët e tani të pandehurve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu në rastin ku të njëjtit po akuzohen se kanë vrarë biznesmenin e njohur Bedri Rexhepi.
Kjo është bërë e ditur nga një përgjigje zyrtare nga Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku mes tjerash theksohet se lidhur me këtë vendim të pandehurit përmes mbrojtësve të tyre, kanë ushtruar ankesë dhe tani lënda gjendet ne Gjykatën e Apelit për vendosje sipas ankesave te ushtruara, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, J. dhe N.V ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Në vendimin e gjykatës thuhet, pas shikimit me kujdes të shkresave të lëndës si dhe kërkesës së paraqitur nga mbrojtësit e të akuzuarve, gjykata konstatoi se duhet të refuzohen kërkesat për kundërshtimin e provave si te pa mbështetura në dispozita ligjore.
“…dhe se nuk janë argumentuar asnjëri nga kushtet e parapara në dispozitat e nenit 249 dhe 250 të KPPRK-së, ngase provat e grumbulluara japin bazë të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë se të akuzuarit J.V. dhe N.V. ne bashkryerje kane kryer veprat penale: Vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 pika 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dhe veprën penale Dëmtim i varreve apo kufomave nga neni 413 par.2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dhe ka bazë për ngritjen e aktakuzës aktuale”, thuhet në vendim.
Mbrojtësja e të pandehurit Jeton Vllasaliu, av.Alberina Foniqi Bojaj ka parashtruar kërkesë për hedhje të aktakuzës me arsyetim veç tjerash se nuk ka prova te mjaftueshme për te mbështetur dyshimin e bazuar se i mbrojturi i saj ka kryer veprat penale te cilat i vihen ne barre.
E njëjta ka theksuar se pretendimet e prokurorisë nuk janë provuar me asnjë prove dhe këto mund te jene vetëm dyshime te cilat nuk janë materializuar me prova qe mund ti mbështesin dyshimin mirë të bazuar ashtu siç kërkohet me ligj, andaj i ka propozuar gjykatës qe aktakuzën e Prokurorisë Themelore – Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë të datës 11 shtator 2022, ta HUDH si të pabazuar në mungesë të provave dhe të pandehurin J.V. ta LIROJ nga përgjegjësia penale për cilën akuzohet sipas aktakuzës lëndore.
Ndërkaq Mbrojtësi i të pandehurit Nexhat Vllasaliu, av.Shemsedin Pira ka parashtruar kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim te provave, me arsyetimin veç tjerash se eksitojnë rrethana të cilat e përjashtojnë përgjegjësinë penale dhe se nuk ka prova të mjaftueshme në mbështetje të një dyshimi të bazuar mirë se i akuzuari të ketë kryer veprat penale. Ajo ka propozuar gjykatës që qe ta hudh aktakuzën lëndore të Prokurorisë Themelore – Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë ndaj të akuzuarit Nexhat Vllasaliu.
Sipas aktvendimit të datës 20 janar 2023, kryetarja e trupit gjykues lidhur me pretendimin e mbrojtësve të të akuzuarve, se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se te mbrojturit e tyre, kane kryer veprat penale për të cilat akuzohen, gjen se pretendimet e tyre nuk qëndrojnë andaj lidhur me këtë çështje penale do të vazhdohet me procedimin sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Përndryshe dy të akuzuarit për vrasjen e rënde, në seancën fillestare të mbajtur me 14 nëntor të vitit të kaluar janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat që i vihen në barrë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta, Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.
Sipas akuzës, ata fillimisht i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet dhe Jeton Vllasaliu duke shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/i ndjeri Rexhepi kishte ndaj tij, e vë në lajthitje të njëjtin, ashtu që duke filluar nga 9 janar 2021, i kishte ofruar për shitje dy vetura, një “Range Rover” dhe një “BMË X3”, për vlerën prej 30 mijë euro.
Tutje, thuhet se gjatë realizimit të planit te tyre, i pandehuri Jeton, më 8 prill 2021 të dëmtuarin Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.
Pas kësaj, aktakuza thotë se i pandehuri Jeton në mënyre tinëzare duke e ngufatur e privon nga jeta Rexhepin, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30 mijë euro, siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave.
Mirëpo, sipas aktit akuzues pas vrasjes tek viktima kishte gjetur vetëm shumën prej 8 mijë euro që i ka ndarë me të pandehurin Nexhat Vllasaliu. Pastaj, thuhet se kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë dhe në pamundësi për ta varrosur e kishte mbështjellur kokën e tij me qese të zezë të najlonit, kurse tërë trupin me perden e shtëpisë së të pandehurit Nexhat dhe e kishte lidhur me një litar.
Tutje, thuhet se veturën e të ndjerit Rexhepi e kishte dërguar në arat e fshatit Sushicë-Janjevë dhe nga aty, i pandehuri Jeton i kishte telefonuar të pandehurit Nexhat, i cili pastaj e kishte marrë me veturën e tij në rrugën që dërgon tek vendi ku e kishte lënë automjetin e të ndjerit.
Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se në këtë mënyrë, i pandehuri Nexhat do të merrte pjesë në kryerjen e veprës dhe atë duke tentuar t’i humb gjurmët e kryerjes së veprës, ashtu siç edhe ishte planifikuar më herët.
Sipas aktakuzës, të nesërmen herët në mëngjes më 9 prill 2021, së bashku shkojnë në shtëpinë e tyre në fshatin Vllasali tek vendi ku ishte kufoma dhe në bashkëkryerjeje e dërgojnë në vendin kodrinor-malor të quajtur Mali i Madh në Vllasali, ku i pandehuri Nexhat e kryen veprimin siç e kishin planifikuar më herët, për zhdukjen e kufomës duke e varrosur dhe duke i fshehur edhe gjurmët deri më 30 shtator 2022, kur janë gjetur mbetjet mortore që besohet se janë të të dëmtuarit Rexhepi.
Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të pandehurit Vllasaliu më 9 prill 2021, rreth orës 06:00 në fshatin Vllasali Novobërdë, në bashkëkryerjeje me qëllim të fshehjes së gjurmëve për veprën e kryer penale e kanë fshehur kufomën e tani të ndjerit Rexhepi, duke e varrosur në një vend që nuk është vendvarrim, gjegjësisht në vendin e quajtur Mali i Madh në Vllasali.