Kuvendi i Kosovës ka dalë me një reagim për seancën që u mbajt sot.
Kuvendi ka thënë se seanca është caktuar nga Kryesia e Kuvendit më 24 qershor dhe se asnjë deputeti nuk do t’i humbiste mandati në rast se nuk do të mbahej seanca e sotme.
“Pas interesimit të vazhdueshëm nga mediat dhe në funksion të sqarimit të publikut lidhur me mbajtjen e seancës së sotme, ju informojmë se seanca është caktuar nga Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e datës 24 qershor 2024, bazuar në vëllimin e materialit për shqyrtim. Asnjë deputeti, përfshirë deputetët nga radhët e Listës serbe, nuk do t’u humbiste mandati në rast të mos mbajtjes së seancës së sotme.”
Kuvendi ka thënë se deputetët e Listës Serbe herën e fundit kishin qenë në kuvend më 8 shkurt dhe sipas kësaj mandatet nuk do t’iu mbaronin deri në fillim të muajit gusht.
“Deputetët nga radhët e Listës serbe herën e fundit ishin evidentuar si pjesëmarrës në seancë më 8 shkurt 2024. Rrjedhimisht të njëjtëve, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit, nuk do t’iu mbaronin mandatet deri në fillim të muajit gusht.”
Kuvendi ka bërë të ditur se seancat e Kuvendit deri në përfundim të sesionit pranveror do të mbahen në sallën 506.
“Për më tepër, konform njoftimeve paraprake, punimet për vendosjen e pajisjeve të reja në sallën e seancave pritet të përfundojnë gjatë pushimit midis dy sesioneve dhe për rrjedhojë, deri në përfundim të sesionit pranveror, seancat e Kuvendit do të mbahen në sallën 506.”