Marrëdhënia mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe ambasadorëve nuk ka qenë gjithnjë më e mira. Tash duket se këto marrëdhënie do të eskalojnë tërësisht. Dje, pothuajse zyrtarisht, VV-ja i shpalli luftë dy ambasadorëve, atij të ShBA-së dhe Gjermanisë. Casus belli ishin Devollët. A po i hy VV-ja luftës me ambasadorët për shkak të Devollëve?
Dje tre eksponentë të VV-së u morën me ambasadorët e ShBA-së, Jeff Hovenier, dhe atë të Gjermanisë, Jorn Rohde, për shkak të takimeve të ambasadorëve me biznesmenët nga Peja, Blerim e Shkëlqim Devolli.
Akuzat e këtyre tre eksponentëve, emrat e përveçëm të sëcilëve janë Dejon Mihali, Artan Abrashi dhe Vendenis Lahu. Gjuha, stili i shkrimit, por edhe akuzat ishin pak a shumë të ngjashme, duke dhënë përshtypjen se ishte sulm i koordinuar.
E para për nga rëndësia, pa asnjë kontestim, është statusi i Mihalit, koordinatorës së pushtetshme. Në një postim të vonshëm, Mihali u mor me Devollët, duke i akuzuar për kompani me pronarë fiktivë. Madje, bizneset e vëllezërve Devolli, zonja Mihali i cilësoi pa ndonjë fakt si “piramida mafioze”.
“Grupi Devolli dhe kompanitë e hapura nga Shkëlqim e Blerim Devolli, me pronarë fiktivë në Kosovë, Maltë, Virgin Island e gjetiu nuk janë biznese por piramida mafioze. Të njëjtët kanë zhvatur pandalur kompanitë publike apo apo vet publikun me licencat e uzurpuara.” – shkroi ajo.
Pasi e kreu me Devollët, enigmatikja Mihali i kritikoi edhe ambasadorët, duke shkruar se takimet me këta biznesmenë ua vështirëson punën organeve të hetimit.
“Pritjet e këtyre kategorive sikur të ishin biznesmenë apo politikanë në selitë diplomatike kudo, brenda e jashtë Kosovës veç sa e vështirësojnë punën e organeve të hetimit ndaj krimeve të shkaktuara nga ata.” – shkroi tutje ajo.
Në shkrimin e saj, zonja Mihali e thelloi tutje akuzën ndaj diplomatëve (në këtë rast atij amerikan dhe gjerman), duke i cilësuar si të rreshtuar në anën e Devollëve. E shumë kritikuara Mihali e la të nënkuptohet se ambasadorët po u ndidhmojnë “piramidave të mafias” e “pastrimit të parave të mafias shtetërore të Serbisë”.
“Nuk është çështje as politike as diplomatike me ta. Rreshtimi i tyre kundër shtetit të Kosovës, rendit publik, interesit publik, normave demokratike i bën ata shenja të të njëjtit problem. Në Kosovë ose do të mbizotërojë ligji dhe kontrolli shtetëror ose do të lejohet pastrimi i parave të mafias shtetërore të Serbisë.” – shkroi Mihali në fletërrufejën e saj.
Në këtë linjë, pra të akuzave për korrupsion e ndikim në drejtësi ndaj ambasadorëve, shkroi edhe deputet i VV-së, Artan Abrashi. Duke komentuar vizitën e Hovenierit te biznesmeni Devolli, Abrashi bëri disa aludime absolutisht skandalozë. Në nëntekstin e tekstit të tij, Abrashi e akuzoi ambasadorin amerikan për ndërhyrje në drejtësi në një rast të Devollit kundër Telekomit në Gjykatën Komerciale!
“Sot, Gjykata Komerciale paska marrë vendim në favor të Devollit në rastin e Telekomit. Janë dy pyetje thelbësore që mund të shtrohen rreth këtij vendimi:
– Si është e mundur që pas vizitës së ambasadorit Hovenier te Devolli, Gjykata Komerciale merr vendim në favor të tyre? Mos ra në lajthitje gjykatësi nga kjo vizitë dhe iu “zbeh”paanshmëria?
– Mbase është mirë ta dimë se a është ftuar ambasadori në takim nga Devolli, apo vet ky e ka kërkuar takimin?” – shkroi ai.
Ndërsa një deputet tjetër i VV-së, dorën në zemër pak, shumë pak i njohur, i quajtur Vendenis Lahu, tentoi të ironizonte diçka me vizitën e ambasadorit gjerman te kompania “Birra e Pejës”, që është pronë e njërit prej vëllezërve Devolli. Ai çuditshëm shkroi për birrën, ambasadorin, vëllezërit Devolli në një përpjekje të dëshpëruar për të ironizuar.
“Thojshin që te Devollt, Blerimi është i keq a Shkelqimi është i mirë. Ambasadori gjerman, Johrn Rohde, kish me thanë: njejtë janë, plus-minus një birrë. Mozallah tjetër sen, përveç birrës.” – shkroi ai./nacionale