Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit S.M. ish-nënkryetar i Komunës së Kllokotit, për shkak të ‘’Cenimit të përcaktimit të lirë të votuesve”.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria ka njoftuar se hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri S.M. në bashkëkryerje me të dënuarin B.D. dhe persona të tjerë, ka kanosur seriozisht qytetarët e nacionalitetit serb të Komunës së Kllokotit, me qëllim të ndikimit në vullnetin e tyre zgjedhor, gjatë periudhës kohore të zgjedhjeve të Përgjithshme të Parakohshme Parlamentare të mbajtura me datë 14 shkurt 2021.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit kanë kërkuar që të votojnë për subjektet e caktuara politike, me kërcënimin se do t’i largonin nga puna.
“Ashtu që i dënuari B.D. në cilësinë e kryetarit të Komunës, ka siguruar vota në mënyrë të kundërligjshme për subjektin politik ‘Lista Serbe’, kurse i pandehuri S.M. në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, ka siguruar vota për subjektin politik me numër 129 ‘Ujedinjina Zajdenica- Ardiana Hoxhiq’”, thuhet në njoftim.