Policia e Kosovës ka publikuar pamjet pasi sot në veri të vendit ka gjetur një punëtori ku bëhej modifikimi i armëve.
Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria e Hetimit të Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda (DHKOKR), sot më 07.05.2025, që në orët e hershme të mëngjesit, ka filluar një operacion policor në veri të vendit, në bashkëkoordinim dhe me urdhër të gjykatës kompetente.
Operacioni është zhvilluar në tri lokacione në Mitrovicë Veri dhe Zveçan, ndaj disa të dyshuarve, të cilët dyshohen për përfshirje në veprat penale të trafikimit me armë.
“Në një lokacion në Mitrovicë Veri, është zbuluar një punëtori ku dyshohet se bëhej modifikimi i armëve, me ç’rast janë gjetur armë dhe pjesë të llojeve të ndryshme të armëve”, bëhet e ditur në njoftim.
Policia ka bërë konfiskimin e një sasie të armëve, pjesëve të armëve, municionit dhe dëshmi tjera që do të përdoren në procedura të mëtejme gjyqësore.
Lidhur me këtë, policia ka iniciuar rastin nën dyshimin se janë konsumuar veprat penale: ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Tre persona janë shoqëruar në polici dhe me aktvendim nga organet e drejtësisë njëri prej tyre është dërguar në mbajtje. /GAZETA PAPIRUS/