10 veta u arrestuan pas bastisjeve në 12 lokacione në komunën e Shtërpces, Ferizajt dhe Prishtinës në aksionin “Brezovica” që ndërmori sot Prokuroria Themelore në Ferizaj.
Prokurori i çështjes, Rasim Maloku, ka thënë se ka dyshime se vlerat, që u dhanë për ryshfet për të marrë leje që të ndërtohen vila, tejkaluan milionat, njofton Klan Kosova.
“Dyshimet tani për tani konsistojnë në vlera që kalojnë milionëshin. Vetëm ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet se ka marrë mbi 1 milion euro. Dyshohet se janë disa vila që janë përfituar si dhurata, vetura si dhurata për lëshimin e lejeve. Ka vila që janë fare pa leje dhe shumica e tyre janë ndërtuar kundërligjshëm në Parkun Kombëtar Sharri”.
Ai ka thënë se ka edhe objekte hoteliere që janë filluar dhe që janë kundër planit zhvillimor të parkut dhe se do të ndërmerren masa.
Derisa, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, ka thënë se janë bastisur edhe dy zyra të Kuvendit Komunal, ajo e Kadastrit dhe Urbanizmit.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe për gjërat e sekuestruara të këtij aksioni.
“61 mijë euro të sekuestruara, monedha si dinarë, franga zvicerane, dollarë, pushkë ajrore, katër pistoleta, dy pushkë gjuetie, karikatorë, gëzhoja, fishekë, tetë vetura në vlerë prej 300 mijë euro, 13 telefona”.