Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka mbajtur një konferencë për medie lidhur me aksionin “Brezovica”, raporton Ekonomia Online.
Prokurori i çështjes Rasim Maloku, ka thënë se nga ky aksion kanë ngrirë gjashtë milionë euro nga të pandehurit dhe familjarët e tyre.
Ai ka paralajmëruar se ky nuk do të jetë aksioni i fundit.
“Sot kemi zbatuar një urdhër në disa lokacione, 4 persona janë në kërkim pasi nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre. Janë konfiskuar disa prova matertiale, vetura e armë. E rëndësishme është se gjatë zhvillimit të hetimeve prej 21 dhjetor deri më tani, nga të dhënat financiare që kemi siguruar, deri më tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve janë të vetë të pandehurve kurse një pjesë e tyre janë të familjarëve që dyshohet se janë përfituar si dobi pasurore nga veprat penale. Ky proces do të vazhdojë në ditët e ardhshme”, ka thënë Maloku.
Maloku ka thënë se objekt hetimi kanë qenë edhe disa serbë.
“Për momentin njëri është në Serbi dhe njëri është në spital”, ka shpjeguar Maloku.
Tutje u bë e ditur se në këtë aksion janë sekuestruar një veturë BMW, armë, kompjuterë, video kaseta, uniformë me mbishkrimin e ish sistemit jugosllav, USB, dokumente, etj.
“Operacioni ka rezultuar me 4 persona të arrestuar. Një prej tyre është lejuar. 5 persona të tjerë janë në kërkim policor”, tha ai.
Sa i përket rastit të kaluar të sekuestrimit, Maloku tha se rezultatet e hetimeve janë ngrirje të pasurive dhe janë në proces të identifikimit të villave në Brezovicë.
“Kemi prit edhe aksionin e sotëm që me i përfshi bashkë. Janë konfiskuar, dokumente për leje mjedisore, aktvendime për lëshimin e lejeve. Sa i përket hidrocentraleve nuk janë objekt i trajtimit të kësaj çështje”, ka thënë ai.
Për ish-sekretarin e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Arben Çitakun tha se po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.
Shefi i hetimeve të krimeve të rënda, Agron Haziri, ka thënë se pesë persona janë në kërkim pas aksionit të enjten, ndërkaq tregoi provat materiale që u sekuestruan.
“Katër persona të arrestuar, një i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt, tre janë në mbajtje për 48 orë. Pesë janë në kërkim policorë. Gjatë hetimeve në xhirollogaritë bankare të dyshuarve kemi identifikuar vlerën monetare prej 5 milionë e 389 mijë euro dhe 86,146 dollarë. Gjatë kontrollit janë sekuestruar prova: 1 veturë, armë, fishekë, karikatorë, shtëpizë kompjuteri, telefon mobil, uniformë me mbishkrimin Policia e ish-sistemit jugosllav ose serb, një antiplumb dhe dokumente të ndryshme”.
Ai njoftoi se të arrestuarit, përveç ryshfetit, dyshohen edhe për pengim të procesit dhe frikësim.