Mosrespektimi i rregullave në komunikacion pothuajse çdo ditë po shkakton dhjetëra aksidente trafiku me lëndime. Jo rrallëherë këto raste po përfundojnë me lëndime të rënda, apo edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.
Një aksident trafiku ka ndodhur edhe mbrëmë në rrugën “Ali Pashë Tepelena” të Gjakovës, ku një motoçiklist është përplasur me një veturë dhe për pasojë shoferi ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Kështu ka bërë të ditur një sinjalizues i Sinjalit, i cili ka njoftuar se shoferi i dyshuar, 22-vjeçar është personi që u lëndua, pasi dyshohet se nuk e ka respektuar përparësinë e kalimit, me ç’rast si pasojë e goditjes ka pësuar frakturë në njërën këmbë.
Për shkak të plagëve, i dyshuari është dërguar në Spitalin Rajonal të Gjakovës për trajtim mjekësor, teksa në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia.