Vetëm pak javë pasi një hulumtim gazetaresk zbuloi se ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Akan Ismaili, në vitin 2014 i kishte rreth 4 milionë franga zvicerane të fshehura në një llogari sekrete në “Credit Suisse”, në Zvicër, të cilën ai nuk e deklaroi siç kërkohet me ligj, rastin tashmë po e trajton Prokuroria Speciale e Kosovës.
Kjo i është konfirmuar zyrtarisht gazetës online Reporteri.net nga zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka iniciuar rast sipas detyrës zyrtare, si dhe është në fazën e analizimit të përmbajtjes së lajmit, me qëllim të grumbullimit të informatave të nevojshme për dyshimet të cilat ndërlidhen me kryerjen e veprës penale”, thuhet ne përgjigjen e Ekrem Lutfiut për gazetën online Reporteri.net.
Ish manjati i telekomunikimeve në Kosovë, Akan Ismaili, u emërua ambasador në SHBA në vitin 2012.
Duke qenë ambasador deri në vitin 2015, Ismaili ishte i detyruar ligjërisht të deklaronte pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Ai raportoi posedime duke përfshirë prona, kursime në para dhe kompani, por Ismaili nuk i njoftoi autoritetet për llogarinë e tij në “Credit Suisse”, e cila kishte vlerë pothuajse 3.9 milionë franga zvicerane në qershor të 2014-ës.
Parat e fshehura dolën në pah më 22 dhjetor 2022 nga hulumtimi “Suisse Secrets”, i “Preportr” dhe “OCCRP”, një projekt gazetaresk bashkëpunues i bazuar në të dhënat e rrjedhura të llogarisë bankare nga gjiganti bankar zviceran “Credit Suisse”.
Sipas legjislacionit të Kosovës, zyrtarët e lartë publikë që fshehin pasuritë e tyre ose bëjnë deklarata të rreme mund të gjobiten dhe të burgosen deri në pesë vjet.
“Zyrtarët që kualifikohen për deklarim të pasurisë janë të obliguar që të raportojnë pasuritë e tyre monetare, te luajtshme dhe të paluajtshme që i posedojnë brenda dhe jashtë vendit. Mos deklarimi në kohe dhe deklarimi i pasaktë konsiderohen vepra penale të dënueshme me gjobë dhe me burg deri 5 vite”, thotë neni 430 i Kodit Penal të Kosovës.