Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit, ka reaguar pasi mostrat e djalit të saj janë gjetur në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe janë kthyer në vendin e tyre.
Xhemile Dehari ka thënë për Gazetën Nacionale se prokurori i rastit, Afrim Shefkiu i ka pas mostrat e djalit të saj.
“A e keni pyet prokurorin e rastit? A keni bisedu me to? Pyetne prokurorin e rastit se aj i ka pas, mostrat i ka marrë edhe i ka kthy. Kush ka pas me i pas tjetër, unë si kom marrë të shpia. Pyetne prokurorin aj ju tregon se aj e din ku jon kon mostrat, aj i ka marrë në pyetje njerëzit, aj e din krejt punën, neve askush nuk na ka lajmëru asgjë, nga ju e morëm vesh.” – ka thënë Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit për Nacionalen.
Gazeta Nacionale ka mësuar se janë gjetur një pjesë mostrave të ish-aktivistit të VV-së, Astrit Deharit, të cilat ishin zhdukur në dhjetor të vitit të kaluar.
Një burim brenda Institutit të Mjekëses Ligjore(IML), ka treguar për gazetën se mostrat janë kthyer aty ku kanë qenë më herët.
“Janë gjetur disa mostra të Astrit Deharit. Ato janë gjetur në objekt dhe janë kthyer aty ku kanë qenë më herët”, ka thënë burimi
Më tej, burimi ka treguar se për cilat mostrat bëhet fjalë.
“Mostrat që janë gjetur janë të lukthit dhe të urinës. Kurse të gjakut mungojnë. Prokuroria sot ka qenë këtu dhe i ka marrë provat e nevojshme”, ka thënë i njëjti burim.
Mostrat e Astrit Deharit, ish-aktivistit të VV-së, janë zhdukur në dhjetor të vitit kaluar.