Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur tronditjen pas vendimit të Qeverisë për mbylljen e mediumit “Klan Kosova”.
Përmes një reagimi, AGK-ja ka thënë se është alarmuar me këtë vendim që lë në fuqi vendimin për pezullimin e certifikatës së mediumit në fjalë.
“Me këtë vendim, ministrja Rozeta Hajdari e cila është pjesë e Qeverisë Kurti ka finalizuar të gjitha veprimet administrative të nevojshme për të mbyllur televizionin Klan Kosova. Ndonëse vendimi mund të apelohet në gjykatë, ky vendim duhet të kuptohet si vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti për të mbyllur një medium për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.” – thuhet në reagim.
Tutje, AGK-ja u shpreh se beson që ky process është i motivuar nga partia në pushtet dhe Qeveria e vendit.
“AGK-ja, beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend. Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve.” – bëhet e ditur tutje.
Në fund, AGK-ja është shprehur si vijon:
“AGK-ja, e inkurajon Klan Kosovën që ta vazhdojë betejën në gjykatë dhe shprehë besimin që gjykata nuk do të lejojë mbylljen e një mediumi në Kosovë.
Vendimi i sotëm politik i Qeverisë Kurti është goditja më e rëndë që i bëhet lirisë së medies në Kosovë që prej kohës së luftës.”