Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), është shprehur mirënjohës për punën e palodhshme të të gjithë gazetarëve përgjatë vitit 2022.
“Falë raportimeve tuaja nga secili kënd i Republikës së Kosovës, qytetarët janë informuar në kohë reale për të gjitha zhvillimet nga greva, protesta e barrikadat, deri tek ngjarje që sollën ndjenjë kolektive gëzimi”, thuhet në komunikatën e AGK-së.
AGK cilëson se viti 2022 ka qenë veçanërisht sfidues për sigurinë e gazetarëve, kameramanëve e foto-reporterëve, me mbi 30 raste të evidentuara sulmesh të formave të ndryshme.
“Falënderues dhe mirënjohës edhe për të gjithë kolegët që nuk ndaluan së raportuari edhe kur u tentuan të pengoheshin nga individë e grupe të caktuara të interesit”, thuhet në komunikatë.
Këtë vit, AGK-së i janë shtuar edhe 13 kolegë ukrainas që kanë gjetur në Kosovë strehë dhe mundësi të vazhdimit të punës.