Agjencia për Informim dhe Privatësi, ia ka ndaluar Universitetit të Prishtinës përpunimin e të dhënave biometrike.
Këtë vendim agjencia e ka marrë pasi ka konstatuar se në Universitetin e Prishtinës, është duke u bërë jashtligjshëm përpunimi i të dhënave biometrike, regjistrimi i fytyrës gjatë regjistrimit në hyrje dhe dalje nga punëtorët, shkruan Gazeta Insajderi.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi, më 16/05/2022, ka zhvilluar inspektim sipas detyrës zyrtare lidhur me mbikëqyrjen e ligjshmërisë së përpunimit të të dhënave biometrike në Universitetin e Prishtinës. Pas përfundimit të procedurave të inspektimit, Agjencia ka konstatuar se Universiteti I Prishtinës ka instaluar pajisje e cila përpunon të dhënat biometrike (tiparet e fytyrës) me qëllim të identifikimit gjatë regjistrimit të hyrjes dhe daljes së punëtorëve gjatë orarit të punës”, thuhet në njoftimin e AIP.
Lidhur me këtë rast, Agjencia për Informim dhe Privatësi, përvec që ka ndaluar përpunimin e të dhënave biometrike, ka obliguar UP-në për fshirjen dhe shkatërrimin e këtyre të dhënave.
“Ligji Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka përcaktuar se përpunimi I të dhënave biometrike për qëllim të identifikimit të një personi fizik në mënyrë unike, parimisht është I ndaluar. Prandaj, ky përpunim mund të bëhet vetëm nëse domosdoshmërisht kërkohet për sigurinë e njerëzve, pronës, mbrojtjen e të dhënave konfidenciale, dhe sekreteve të bizneseve, nëse kjo nuk mund të arrihet me mjete më të lehta dhe duhet të jetë proporcional me qëllimin e vendosjes”, thuhet më tej në njoftim.