Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Islam Mehmetiti nga KF “Trepça‘89”, shkruan GAZETA PAPIRUS.
Në telegramin e ngushëllimit, Ademi thotë se kujtimi për ‘Lamin’ do të mbetet përherë i gjallë, derisa përmend punën e pashlyeshme të tij në “Trepça’89”.
Telegram ngushëllimi nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi:
E nderuara Familje Mehmeti
Të nderuar drejtues dhe staf i KF “Trepça’89”
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Islam Mehmeti, andaj më lejoni që në emrin tim, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Lami ishte më shumë sesa një punëtor i klubit – ai ishte një simbol i përkushtimit, dashurisë dhe përkujdesjes për gjithçka që kishte të bënte me KF Trepça’89.
Për vite me radhë, ai ishte aty për futbollistët, trajnerët dhe klubin, duke u siguruar që gjithçka të ishte gati me përpikëri e dashuri para çdo stërvitje e ndeshje.
Humbja e tij është dhimbje për gjithë komunitetin tonë sportiv, veçanërisht për qytetin e Mitrovicës dhe klubin Trepça’89, ku ai la gjurmë të pashlyeshme me punën e ndershme dhe përkushtimin e tij të palodhur.
Në këto momente të vështira, jemi pranë jush me mendje e zemër.
Kujtimi për Lamin do të mbetet përherë i gjallë.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së