Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka përshpejtuar procedurën për dëgjimin e argumentave verbale për padinë e ngritur nga kompania kineze ByteDance, në pronësi të së cilës është rrjeti social TikTok. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman, kompania e ka paraqitur këtë padi ndaj një ligji të ri të Kongresit amerikan që do ta ndalonte këtë platformë të medias sociale, për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.
TikTok-u, platforma më e njohur e mediave sociale në Shtetet e Bashkuara, është bërë pjesë e kulturës amerikane. Por pronësia e saj kineze dhe qasja e mundshme e Pekinit tek të dhënat e shumta personale, si dhe aftësia për të ndikuar opinionin publik për përdoruesit amerikanë, e shtyu Kongresin ta ndalonte atë.
Kjo ndodhi pavarësisht se drejtuesi ekzekutiv i TikTok-ut, Shou Zi Chew, u bëri thirrje përdoruesve amerikanë të platformës së tij që ta kundërshtojnë legjislacionin e ri.
“Nëse supozojmë se Gjykata e Lartë do ta mbështesë ligjin, dhe nëse administrata e re Trump nuk gjen një zgjidhje tjetër – që dyshoj se do të jenë në gjendje ta bëjë – do të duhet që ose të shitet TikTok-u, ose të përballet me një ndalim në Shtetet e Bashkuara”, thotë profesori Rozenshtein.
Presidenti Joe Biden dhe Presidenti i zgjedhur Donald Trump e kanë mbështetur masën e ndalimit.
“Më sollën një grafik dhe ishte një rekord. Ishte kaq i bukur për t’u parë. Dhe ndërsa e shikoja, thashë: ‘Ndoshta duhet ta mbajmë këtë për pak kohë’,” tha zoti Trump.
Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara dëgjon të premten apelimin e kompanisë së mediave sociale.
Gjyqtarët do të peshojnë argumentin e sigurisë kombëtare përkundër garancive kushtetuese të fjalës së lirë për filialin amerikan të kompanisë ByteDance dhe 170 milionë përdoruesit në Shtetet e Bashkuara, shpjegon profesori Rozenshtein.
“Ky është njëri dimension i konfliktit. Por në një kuptim tjetër, është gjithashtu një luftë brenda vetë fjalës së lirë, sepse një gjë që qeveria po argumenton është se një nga rreziqet e zotërimit kinez të TikTok është se qeveria kineze do të jetë në gjendje të manipulojë algoritmin dhe për këtë arsye të shtrembërojë vetë mjedisin e fjalës së lirë”, thotë profesori Rozenshtein.