Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adrian Kastrati, ka reaguar ashpër ndaj liderëve të opozitës, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi, duke i akuzuar për mungesë vizioni, vendosmërie dhe guximi politik në përballjen me Kryeministrin Albin Kurti.
Kastrati e cilëson si “tragjikisht të gabuar” propozimin e Abdixhikut për një qeveri uniteti me Kurtin, ndërsa takimin e Krasniqit me kryeministrin e quan “një dhuratë politike për një lider autoritar”.
“ASNJË bashkëpunim me Kurtin, z. Abdixhiku – kjo është linja që duhet ndjekur me vendosmëri,” shkruan ai, duke shtuar se çdo flirtim politik me Kurtin është tradhti ndaj votuesve opozitarë.
Reagimi i plotë:
Një Qasje Tragjikisht e Gabuar: ASNJË Bashkëpunim me Albin Kurtin
*****************************
Propozimi i Lumir Abdixhikut për një “qeveri të unitetit” me Albin Kurtin është një gabim politik me pasoja të rënda për të ardhmen e opozitës dhe të vetë shtetit të Kosovës. Ky është jo vetëm një akt i pavendosur, por edhe një tregues alarmant i mungesës së një vizioni të qartë opozitar. Asnjë bashkëpunim me Kurtin, z. Abdixhiku – kjo është linja që duhet ndjekur me vendosmëri.
Po aq gabim ishte edhe takimi i Memli Krasniqit me Albin Kurtin. Një takim i tillë, në vend që të shërbejë si përpjekje për zgjidhje, i jep oksigjen politik Kurtit i cili e ka dëmtuar rëndë demokracinë dhe kohezionin institucional në vend. Asnjë takim me Kurtin, z. Memli Krasniqi – kjo është mënyra për të respektuar vullnetin e zhgënjyer të votuesëve të PDK-së.
Opozita duhet të refuzojë çdo flirt politik me Kurtin dhe në vend të kësaj të mblidhet ndërmjet vete, të krijojë një front të fuqishëm të bashkuar, që synon të ndërtojë një qeveri të re – me vizion, me përgjegjësi dhe me kurajë për të çliruar Kosovën nga ngërçi institucional dhe nga lidershipi destruktiv i Kurtit.
Por, fatkeqësisht, mungon vendosmëria. Mungon gatishmëria për të marrë përgjegjësi. Po prisni rritje të papërfillshme 2-3% në heshtje, duke u mbështetur në rehatinë e kolltukut, ndërkohë që Kosova mbetet peng i kalkulimeve tuaja të zymta dhe të pashpirt. Marre!
Të dy, si Memli ashtu edhe Lumiri, po tregohen frikacakë përballë një udhëheqësi që ka shpërfaqur shenja autoritarizmi dhe që ka abuzuar me fuqinë politike për qëllime personale dhe ideologjike. Pse duhet të uleni me Kurtin? Pse të përkrahet një qeveri uniteti me një lider që përçarjen e ka metodë pune?
ASNJË BASHKËPUNIM me Kurtin – ky duhet të jetë parimi i opozitës së përgjegjshme dhe të vetëdijshme për momentin historik.
Në këtë realitet të mjegullt dhe të tronditur nga pazotësia politike, një zë i qartë, i logjikshëm dhe i qëndrueshëm në LDK është ai i Prof. Dr. Avdullah Hotit. Nëse LDK do të udhëhiqej nga një profil si ai, përballja me Kurtin do të ishte më e baraspeshuar dhe më substanciale. Dëshira për ta parë Hotin në krye të LDK-së është dëshirë për një opozitë që flet qartë, vepron saktë dhe nuk i nënshtrohet as presionit e as kompromisit të dëmshëm.
Njësoj, PDK ka nevojë për një lider që nuk takohet me Kurtin në asnjë rrethanë. Një figurë që nuk e relativizon dështimin e Kurtit, por e përball me të vërtetën politike.
Albin Kurti duhet të refuzohet politikisht, të izolohet institucionalisht dhe të poshtërohet moralisht – sepse një lider që ka shkatërruar besimin e qytetarëve, që ka përçarë shoqërinë dhe ka helmuar hapësirën publike me retorikë përjashtuese, nuk meriton as bashkëpunim, as rehabilitim. Ai duhet gradualisht të largohet nga skena politike – sepse është bërë simbol i polarizimit, i hipokrizisë dhe i pabesisë.
Kurti është i pabesë – dhe të pabesëve nuk u besohet.
Në këtë situatë, është pikërisht qasja e butë, oportuniste dhe e frikshme e Memli Krasniqit dhe Lumir Abdixhikut që po e mban në jetë politikisht Kurtin. Po të kishte opozita vizion dhe guxim, Kurti do të ishte tashmë në rrugën e largimit.
Fatkeqësisht, për aq kohë sa PDK dhe LDK drejtohen nga dy liderë që preferojnë pajtimin me autokracinë sesa përballjen e sinqertë me të, Kurti do të vazhdojë të fitojë zgjedhjet – pavarësisht rënieve ciklike në popullaritet.
Dhe me këtë qasje të dëshpëruar dhe të frikësuar, Memli dhe Lumiri nuk rrezikojnë vetëm të humbasin përballë Kurtit në nivel qendror – por edhe të humbasin terren në nivel lokal, duke i dorëzuar edhe disa komuna në zgjedhjet e ardhshme.
Ikni se na gërrditet…..shyqyr që së paku sonte nuk ju shohim në TV se do të kënaqemi me një super lojë Inter-Barcelona!
Ikni, dobësira, po e mbani Kurtin në lojë!